Botë, mbi 15 milion të prekur me Covid-19
Vazhdon të jetë i lartë numri i të infektuarve të ri në nivel global....
Vazhdon të jetë i lartë numri i të infektuarve të ri në nivel global, me çka numri i përgjithshëm i rasteve ka kaluar 15 milionëshin. Vetëm në 24 orët e fundit me virusin sars CoV 2 janë infektuar 239.024 persona.
Numri më i lartë i të infektuarve në 24 orët e fundit është në SHBA ku janë regjistruar 67.140. Kurse numri më i lartë i viktimave ditën e fundit është regjistruar në Brazil ku si pasoje e virusit kanë vdekur 1,346 persona.
Sekretari amerikan i Shtetit, Majk Pompeo, në takimin me deputetët britanikë deklaroi se masat e ndërmarra nga Organizata Botërore e Shëndetësisë gjatë kohës së pandemisë me koronavirusin e ri çuan në “vdekjen e britanikëve”.
Sipas tij, kreu i OBSH-së Gebreyesus është i blerë nga qeveria kineze.
“Kur thika arriti në kockë, kur veprimi i OBSH-së ishte me rëndësinë më të madhe, njerëzit vdiqën për shkak të marrëveshjes së bërë.”,- tha sekretari amerikan i shtetit, Majk Pompeo.
OBSH-ja ka mohuar akuzat nga ana e Pompeos dhe u bëri thirrje shteteve mbeten të përqendruar në menaxhimin e pandemisë. Sipas OBSH-së trende shqetësuese të infektimit me koronavirus po shfaqen në Evropën Jugore dhe në rajonin e Ballkanit.
“Natyrisht që Amerika është ende pika kryesore, Amerika e Veriut, Qendrore dhe e Jugut, por ne kemi shtim të infektimeve edhe në Afrikë, Po ashtu, edhe në Evropë, megjithëse në Evropën perëndimore sëmundja është nën kontroll, ne ende kemi disa tendenca shqetësuese në Evropën Jugore dhe Ballkan.”,- u shpreh kreu i programit të emergjencave të OBSh-së, Majkll Rajan.
Situata alarmante është edhe në Bolivi. Gjatë pesë ditëve të fundit, njësitë speciale të policisë kanë hequr nga rrugët 420 trupa të pajetë të njerëzve. Edhe në disa shtete të Evropës vërehet rritje e numrit të të infektuarve. Austria ka rikthyer masën e mbajtjes së maskës në supermarkete, banka dhe zyra postare. Rritje e rasteve është regjistruar edhe në Belgjikë. (Belinda Koka Ademi, TVM2)
