Donacion prej 2 milionë dollarësh për ARM-në

28.10.2014 15:16

Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë, pranoi sot donacionin në pajisje nga Republika e Turqisë, me vlerë prej 2 milionë dollarësh........

Turqia, si anëtare e NATO-s mbështet Maqedoninë në rrugën e saj për anëtarësim në aleancë, theksoi me këtë rast ministri i Mbrojtjes, Zoran Jolevski, i cili vuri në dukje ndihmën permanente të Turqisë për modernizimin e ARM-së.

“Përkundër donacionit në pajisje dhe modernizimit, nga viti 1996 më shumë se 700 pjesëtarë të ARM-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes kanë pasur privilegjin të shkollohen dhe trajnohen në qendrat prestigjioze ushtarake për trajnim në Republikën e Turqisë dhe të fitojnë aftësi dhe dituri të nivelit më të lartë”- deklaroi ministri i Mbrojtjes, Zoran Jolevski.

Ndërsa ambasadori turk, Sholendil, duke vlerësuar angazhimin e ARM-së në misionet ndërkombëtare, theksoi se Maqedonia tanimë një kohë të gjatë e meriton anëtarësimin në NATO.

“Jam plotësisht i bindur se me dorëzimin e kësaj pajisje, Armata e Maqedonisë, e cila nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara merr pjesë në disa misione paqësore, do të forcohet edhe më shumë dhe për një kohë të shkurtër do të bëjë hapa edhe më të mëdhenj drejt anëtarësimit në NATO, të cilin e ka merituar që moti”- tha ambasadori i Turqisë në Shkup, Omu Sholendil.

Donacioni turk përbëhet nga uniforma ushtarake dhe çizmet.

Nga viti 1996, Maqedonia dhe Turqia deri më tani kanë nënshkruar gjithsej 28 marrëveshje ushtarako-financiare, nga të cilat Maqedonia ka përfituar donacion prej 20 milionë dollarësh. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)