Bruksel, sot vazhdon dialogu Kosovë-Serbi

23.07.2020 13:01

Koordinatorët nga Kosova dhe Serbia të ënjtën në Bruksel....

Koordinatorët nga Kosova dhe Serbia të ënjtën në Bruksel diskutojnë temat që u biseduan në takimin e nivelit të lartë Kosovë-Serbi, që u mbajt javën e shkuar nën ndërmjetësimin e BE-së.

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, për Çështje të Jashtme dhe Politika të Sigurisë në BE, Nabila Massrali, thotë se takimi i nivelit të ekspertëve do të fokusohet në temat që janë diskutuar.

Ekspertët e të dyja vendeve, sipas Prishtinës zyrtare, do ta përgatisin draftin e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi, ndërsa kundërshtojnë pohimet që dialogu i së enjtes në Bruksel ka karakter teknik.

Ndërkohë, kryeministri Hoti, tha në mbledhjen e qeverisë, se “objektivat janë të qarta për ta përmbyllur këtë proces dhe jo të vazhdon si dialog teknik”.

Koordinator nga Kosova në dialog është emëruar Skender Hyseni, i cili në Bruksel udhëton së bashku me Ibrahim Makollin.

Sipas kryeministrit, ata “do ta bëjnë draftimin e marrëveshjes finale, sa i përket çështjes së të pagjeturve”. Ndër temat tjera të grupeve të ekspertëve, sipas kryeministrit Hoti, përfshihen edhe dëmet e luftës, borxhi shtetëror, pensionet, kursimet në banka si dhe dëmet e pronës private në kohën e luftës.

Koordinatori në dialog Skender Hyseni, para nisjes për në Bruksel, shkroi se “nga Serbia, dhe jo vetëm nga ajo, bëhen përpjekje që ora të kthehet mbrapa, duke bërë thirrje absurde që të bisedohet për statusin e Kosovës”. Kjo sipas tij, “nuk bën të ndodhë”.