Gjykata Administrative refuzoi paditë e ASh-së për zgjedhjet
Gjykata Administrative vazhdon shqyrtimin e padive të partive politike....

Gjykata Administrative vazhdon shqyrtimin e padive të partive politike. Të gjitha ankesat, gjithsej 75 nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, janë refuzuar si të pabaza.
U refuzuan edhe 78 paditë nga “E Majta”
Gjykata ka refuzuar dhe 78 paditë nga gjithsej 101 të partisë “E Majta”, duke vërtetuar vendimet e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.
Paditë e “Së Majtës” po shqyrtohen në më shumë debate publike, pas pretendimeve të tyre se u janë vjedhur tre mandate deputetësh. Përpos tyre, gjykata ka caktuar edhe debate publike edhe për paditë e Unionit Socialdemokrat.
Në Gjykatën Administrative, dy padi ka dorëzuar edhe VMRO-DPMNE dhe Koalicioni “Për Ripërtëritjen e Maqedonisë” dhe një padi “Maqedonia e Bashkuar” dhe Koalicioni “Asnjëherë e Veriut, vetëm Maqedoni”.
Këto padi do të shqyrtohen të premten, pasi që nga VMRO kërkojnë numërim të të gjitha fletëve të votimit nga zgjedhjet parlamentare si dhe kërkojnë edhe rishqyrtim të numrit të madh të fletëvotimeve të pavlefshme.
Gjykata vlerëson se kjo procedurë do të duhet të përmbyllet për dy ditë. Vlerësim negativ morën edhe dy paditë, njëra e dorëzuar nga “Integra” dhe tjetra nga “Moros”. Nga Gjykata Administrative thonë se paditë janë shqyrtuar jo vetëm nga aspekti formal por edhe thelbësor.
Nga Aleanca për Shqiptarët të hënën nga parku i Çairit kanë paralajmëruar protesta kundër vjedhjes së votës në zgjedhjet e 15 korrikut dhe mos zgjidhjen institucionale të këtyre vjedhjeve. Deri tek gjykata administrative kanë mbërritur gjithsej 185 padi.
Pas përfundimit të shqyrtimit të të gjitha padive, i mbetet KSHZ-së që të publikojë edhe rezultatet zyrtare të zgjedhjeve të 15 korrikut. (Meral Ismaili, TVM2)
