Shqipëri, Kuvendi miratoi marrëveshjen PS-PD-LSI

23.07.2020 18:29

Me 99 vota, 6 kundër dhe 4 abstenim, Kuvendi i Shqipërisë miratoi marrëveshjen e 5 qershorit...

Me 99 vota, 6 kundër dhe 4 abstenim, Kuvendi i Shqipërisë miratoi marrëveshjen e 5 qershorit, mes PS-PD-LSI-së dhe opozitës parlamentare për reformën zgjedhore. Mes deputetëve që nuk e votuan paktin ishte kreu i grupit demokrat, Myslym Murrizi, i cili e kishte paralajmëruar edhe më parë votën kundër.  

Kryeministri, Edi Rama, garantoi se ndryshimet kushtetuese, mes të cilave edhe listat e hapura do të kalojnë për votim në seancën e fundit të këtij sesioni parlamentar, më 30 korrik.

“Ne nuk jemi shërbëtorë të askujt, jemi të ndërgjegjshëm se nuk jemi as SHBA, BE, as superfuqi bërthamore, por një vend i vogël, falë edhe miqve dhe partnerëve tanë. Por vjen puna do të hapim apo jo listat, këtë e vendosim ne, se pastaj do të ishte fundi. Këtë e vendosim ne. Dhe nuk kemi asnjë problem që ta diskutojmë dhe t'ua themi, sikur ua kemi thënë dhe besoj do të vazhdojmë ta themi kur të jetë e nevojshme, por nuk besoj se do të jetë e nevojshme për një kohë të gjatë. Ky kuvend do të hapë listat në 30 korrik.”,- tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Palët politike kanë vijuar më tej me mbledhjen e këshillit Politik ku po merr pjesë edhe opozita jashtëparlamentare. Pas votimit të paktit të 5 qershorit ka reaguar edhe Ambasada amerikane në Tiranë.

“Ky akt respekton marrëveshjen e bërë nga të gjitha partitë dhe e çon Shqipërinë një hap tjetër përpara drejt Bashkimit Evropian. Përgëzojmë të gjitha partitë që u siguruan që marrëveshja e 5 qershorit u arrit, u respektua, dhe u zbatua në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente”,- shkruan ambasada amerikane në Facebook. (Luljeta Ndoka, TVM2)