Poroshenko: Zgjedhjet ishin të suksesshme

28.10.2014 15:22

Ukraina i ka kërkuar Rusisë që të ushtrojë presion mbi separatistët pro-rusë për të ndalur trazirat dhe jo për të mbajtur zgjedhje në lindje, ndërsa pavarësisht kësaj kërkese, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, u shpreh se Rusia do t’i njohë zgjedhjet që separatistët pro-rusë do t’i zhvillojnë në Ukrainën Lindore më 2 nëntor, ashtu siç është rënë dakord......

"Unë mendoj se ne do t’i njohim rezultatet e këtyre zgjedhjeve, sepse ato janë shumë të rëndësishme për ne, për Ukrainën, që më në fund të merret me çështjet e vërteta me të cilat përballet vendi dhe të mendojë se si ta sigurojë unitetin e vendit, t’i sigurojë të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh se ç’farë gjuhe flasin dhe ç’farë pikëpamje politike kanë, të gjejnë vendin e tyre në Ukrainë”- deklaroi ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov.

Sergey Lavrov, tha më tej se është më se i sigurt se forca kryesore në parlament do të jetë blloku i Petro Poroshenkos, i cili është partner i Rusisë, partneri i presidentit, Vlladimir Putin, në arritjen e marrëveshjes së paqes në Minsk ndërmjet autoriteteve në Kiev dhe rebelëve të Luhanskut.

Lidhur me këto zgjedhje, një diplomat ukrainas u shpreh se zgjedhjet e separatistëve pro-rusë do ta dëmtojnë mjaft procesin e paqes.

Në një takim të zhvilluar më delegacionin e Parlamentit Evropian, nga ana tjetër presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, theksoi se kërkesa më e rëndësishme për vendin tani mbetet përshpejtimi i procesit të ratifikimit të marrëveshjes me BE-në.

“Në historinë tonë kanë qenë një nga zgjedhjet parlamentare më transparente. Unë mendoj se këto zgjedhje ishin një tjetër provë për gjendjen e demokracisë dhe lirisë së vendit dhe është kaluar ky test. Unë do të doja t’ju lus për të përshpejtuar procesin e ratifikimit të marrëveshjes sonë të asociimit me BE-në”- tha presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko.

Pavarësisht armëpushimit që palët nënshkruan në 5 shtator, ka pasur shkelje të tij dhe situata vazhdon të paraqitet e paqëndrueshme. Në Kiev, kanë nisur të udhëheqin partitë pro-evropiane, të cilat dolën fituese në zgjedhjet parlamentare, të zhvilluara të dielën. (Leunora Kaliqi, TVM2)