Prej vitit të ardhshëm rritet paga minimale
Me ndryshimet në Ligjin për Pagë Minimale, është paraparë që nga janari i vitit 2015, paga minimale prej 8800 denarëve të rritet në 9590 denarë. Ndërkaq, në vitin 2016 paga minimale do të arrin vlerën e 10 mijë e 80 denarëve.........

Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov, paralajmëroi se janë paraparë dënime të larta për punëdhënësit të cilët nuk do ta respektojnë ligjin.
“Nëse inspektorati vërteton se nuk është paguar paga minimale, punëdhënësit i jepet afat prej shtatë ditësh të njëjtën ta paguajë. Nëse këtë e refuzon, do të paguajë gjobë prej 8 deri në 9 mijë euro. Nëse kjo përsëritet, atëherë do të duhet të paguajë gjobë në vlerë prej 10 mijë euro dhe ndalim për ushtrimin e veprimtarisë për një kohë të caktuar”- deklaroi ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov.
Ndryshimet mbështeten edhe nga Sindikata e Pavarur e Maqedonisë, pasi që, siç vlerëson kreu i Sindikatës, Zhivko Mitreveski, ndryshimet kanë për qëllim mbrojtjen e punëtorëve.
“Me këto ndryshime do të ndalohen keqpërdorimet, të cilat i bëjnë punëdhënësit dhe do të ndalohet konkurrenca jolojale. Do të ngrihet edhe etika e punës dhe do të zvogëlohen harxhimet plotësuese, të cilat punëdhënësi është i detyruar t’i paguajë”- tha kryetari i Sindikatës, Zhivko Mitrevski.
Propozuesit e kanë arsyetuar propozim-ligjin me mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe përmirësimin e standardit të tyre jetësor, por edhe me zvogëlimin e ekonomisë së kundërligjshme dhe keqpërdorimit nga punëdhënësit. (Flutura Latifi, TVM2)
