Bytyqi: Mbi 276 mijë qytetarë shfrytëzues të kartelave

24.07.2020 17:04

Masat për përkrahje të qytetarëve, kompanive dhe ekonomisë....

Masat për përkrahje të qytetarëve, kompanive dhe ekonomisë në përgjithësi konfirmuan përfitime të shumta, vlerësojnë në LSDM.

Fatmir Bytyqi nga kjo parti tha se për këtë flasin edhe numrat, se mbi 276 mijë qytetarë veç më kanë marrë dhe shfrytëzojnë kartelë pagesore vendore. Sipas tij, me këtë u dëshmua se koncepti i LSDM-së, që paratë të kthehen te qytetarët, funksionon me sukses jo vetëm në kohëra të qeta, por edhe në kohë të krizës.

“Vlera e përgjithshme e kartelave veç më të dhëna pagesore vendore deri më 18 korrik është 24,6 milionë euro, prej të cilave veç më janë shpenzuar, respektivisht janë inkorporuar në ekonomi 17,7 milionë euro përmes blerjes së prodhimeve dhe shërbimeve vendore. Me kartelat pagesore janë realizuar mbi 1,2 milionë transaksione, ose më konkretisht, qytetarët i kanë përdorur kartelat më së shumti në markete 89%, restorante dhe ushqim 5%, tekstil, veshmbathje, këpucë 3%, barnatore 2,3%.”,- tha Fatimr Bytiqi nga LSDM.

VMRO-DPMNE: LSDM po shkatërron ekonominë

Ndërkohë, nga VMRO-DPMNE kanë akuzuar LSDM-në për shkatërrim sistematik të ekonomisë. 

“Zoran Zaev dhe LSDM po shkatërrojnë sistematikisht ekonominë në Maqedoni. Zaev dhe LSDM vetëm po gënjejnë. Ata premtuan një pagë prej 500 euro dhe rritje vjetore të BPV prej 5-7%.  Jo vetëm që nuk ka asgjë, por shifrat tregojnë se paga mesatare është larg nga 500 euro të premtuar dhe rritja ekonomike ekziston vetëm në ëndrrën e Zaevit.”,- thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së. (Naim Ramadani, TVM2)