Hutbeja e parë e xhumasë pas 86 vitesh në Turqi, 350.000 myslimanë falën namazin në xhaminë “Shën Sofia”
Për herë të parë, nga katër minaret e xhamisë “Shën Sofia”....

Për herë të parë, nga katër minaret e xhamisë “Shën Sofia”, u këndua ezani i drekës nga 4 muezinë.
Mbi 350 mijë njerëz vërshuan Stambollin për të falur namazin e parë në hapjen e Xhamisë së Madhe “Shën Sofia” pas 86 vitesh. Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, recitoi pjesë nga Kurani para namazit të parë të xhumasë.
Kryetari i çështjeve fetare të Turqisë, Ali Erbaş, në hutben e xhumasë, tha se kjo xhami është vendi i respektit ndaj besimeve të tjera dhe përvojës së bashkëjetesës si dhe një nga objektet më të rëndësishme të diturisë, urtësisë dhe adhurimit në historinë njerëzore, me një jetëgjatësi prej më shumë se 15 shekujsh.
"Në civilizimin tonë, xhamitë tona janë burimi i unitetit dhe qëndrueshmërisë sonë, vëllazërisë, besimit dhe paqes. Xhamitë tona janë vende ku takohemi, njihemi dhe solidarizohemi si materialisht, ashtu edhe shpirtërisht. Si besimtarë që e konsiderojmë kuptimin e Ajasofjes si qëllim të lartë dhe amanet të shenjtë, detyra jonë më e madhe sot është të punojmë për mbizotërimin e mëshirës dhe tolerancës, paqes, qetësisë dhe mirësisë në gjithë botën.”,- tha kryetari i çështjeve fetare të Turqisë, Ali Erbaş
Në fund të hutbes, Erbaş porositi se Ajasofja, ashtu sikurse edhe xhamitë e tjera në vend, do të jenë të hapura për të gjithë njerëzit e të gjitha bësimeve, pa bërë asnjë dallim.
Ndryshe, xhamia “Shën Sofia”, shërbeu si kishë për 916 vjet, deri në marrjen e Konstandinopojës apo Stambollit të sotëm nga ana e myslimanëve, në kohën e Sulltan Mehmed Fatihut, i cili ktheu kishën në xhami në viti 1453 dhe si e tillë qëndroi deri në vitin 1934.
Edhe pse kisha u shndërrua në xhami, emri “Shën Sofia” nuk iu ndryshua, madje nuk janë prekur as kryqet dhe ikonat qysh nga koha e Sulltan Fatihut e deri sot, duke e ruajtur autenticitetin.
Për 86 vjet ajo është shfrytëzuar si muze dhe prej sot një vend adhurimi për myslimanët. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
