Basha, bën thirrje për protesta kronike
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka cilësuar situatën ekonomike në Shqipëri mjaft të rënduar, duke e përmendur si një nga shkaqet rritjen e paralajmëruar të çmimit të energjisë elektrike.......

Gjatë një takimi me gratë sipërmarrëse, Basha tha se situata është përkeqësuar së tepërmi kohët e fundit dhe shkak për këtë është bërë dështimi i qeverisë Rama.
Nisur nga kjo situatë, kryetari i opozitës u ka bërë thirrje grave sipërmarrëse, por edhe të gjithë qytetarëve të pakënaqur, që të ngrihen në protesta mbarëpopullore për një të ardhme më të mirë.
Ministria e Financave e Shqipërisë, ka deklaruar se do të heqë fashën e çmimit të energjisë prej 300 kilovat në orë. Për 300 kilovatët e parë shqiptarët e paguanin çmimin e energjisë me 7,5 lekë, ndërsa kur kalohej ky kufi, çmimi i energjisë paguhej me 13,5 lekë. Ekspertët e ekonomisë parashikojnë që çmimi të pësojë rritje, duke ndikuar drejtpërdrejt në buxhetin e familjeve.
LULJETA NDOKA
