Maqedoni

Ateron në Shkup udhëtari i njëmiliontë

28.10.2014 16:20

Jana Ivanovska nga Amsterdami, me profesion bankiere në ANG, është pasagjerja e njëmiliontë që ka mbërri në aeroportin “Aleksandri i Madh” në Shkup...

Kompania turke “TAV”, në shënimin e “pasagjerit të njëmiliontë” i dhuroi Ivanovskës vauçer prej 200 eurosh dhe një vikend VIP në Stamboll. Emocionet e saj ishin të papërshkrueshme edhe pse ajo në Shkup vjen mbi 5 herë në vit.
 
“Sinqerisht nuk e kam menduar një pritje të tillë, kur hyra në aeroport më ka pritur një vajzë dhe më tha se jam udhëtari i njëmiliontë, por unë mendoja se është kamerë e fshehtë dhe më pas kur i pashë të gjitha mediat, u vërtetova se bëhet fjalë për diçka serioze”- deklaroi pasagjerja e njëmiliontë, Jana Ivanovska.
 
Deri në fund të vitit pritet edhe aterimi i dhjetëmijtë në Aeroportin e Shkupit. Arritjet u takojnë të gjithë pjesëmarrësve në komunikacionin ajror, thanë  përfaqësuesit e “TAV -Maqedoni”. 
 
“Udhëtari i njëmiliontë në Maqedoni nuk është rastësi, kjo vjen si rezultat i kontributit të madh që kemi dhënë me qeverinë në 4 vitet e fundit dhe është rezultat i cili “TAV-Maqedoni” u ka ofruar oferta më të volitshme qytetarëve”- tha drejtori i përgjithshëm i “TAV-Maqedoni”, Zoran Krstevski.
 
“Prej ardhjes së kompanisë tonë në Maqedoni në vitin 2010 e deri më sot, kemi rritje të pasagjerëve prej 66 për qind. Kjo tregon qartë se kompania jonë ka strategji të saktë për veprim”- theksoi zëvendësdrejtori i “TAV-Maqedoni”, Allper Ersoj.
 
Destinacionet më të frekuentuara prej Aeroportit të Shkupit janë: Stambolli, Vjena, Cyrihu , Londra dhe Baseli, ndërsa dita më e frekuentuar për këtë vit ka qenë 4 gushti, me 5.793 pasagjerë. Në komunikacionin ajror në Maqedoni, kompania “Wizar” realizon 40 aterime në javë. 
 
“Sot mund të themi se në aeroportin “Aleksandri i Madh” operojnë 15 kompani ajrore me renome botërore nëpër 26 destinacione të ndryshme evropiane”- u shpreh ministri i  Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski.
 
Nga viti i ardhshëm, do të shpallet edhe një thirrje publike për subvencionimin e kompanive ajrore në periudhën 2015, 2016 dhe 2017, që do të punojnë në Maqedoni dhe kjo do të mundësojë aterime të lira për qytetarët.
 
REXHEP QAMILI