Maqedoni
SHGM, siguron mjetet që dy gazetarë të zhdëmtojnë Mijallkovin
28.10.2014 16:23
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, në xhiro-llogarinë bankare të Fondit Solidar ka grumbulluar 9300 euro për të paguar zhdëmtimin në të holla...

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, në xhiro-llogarinë bankare të Fondit Solidar ka grumbulluar 9300 euro për të paguar zhdëmtimin në të holla që gjykata u caktoi dy gazetarëve të gazetës “Fokus”, Jadranka Kostova dhe Vlado Apostolov.
Këto mjete gazetarët duhet t’ia paguajnë kreut të Shërbimeve Sekrete, Sasho Mijalkovit.
Kryetari i SHGM-së, Naser Selmani, tha se SHGM-ja çdoherë do të jetë në mbështetje dhe mbrojtje të gazetarëve profesionistë.
“SHGM-ja u vu në mbrojtje të gazetarëve të “Fokus”-it, ngaqë ne mendojmë se askush nuk ka të drejtë të dënohet vetëm sepse ushtron detyrën në mënyrë profesionale. Dy gazetarët e “Fokus”-it u dënuan nga gjykata, pasi u paditën për shpifje nga Mijalkov. Ne falënderojmë të gjithë ata gazetarë dhe aktivistë të sektorit civil që ndihmuan nëpërmjet donacionit”- deklaroi kryetari i SHGM-së, Naser Selmani.
Në të vërtetë, në shkrimin kontestues që shërbeu si objekt i padisë, gazetari dhe redaktorja përcjellin thjesht një deklaratë të ambasadorit të Maqedonisë në Pragë, i cili akuzon kreun e Shërbimeve Sekrete për kërcënime me vdekje.
Gjykata vlerëson se gazetari dhe redaktorja në këtë mënyrë kanë kryer veprën “shpifje” edhe pse deklarata është e ambasadorit dhe jo e autorit të shkrimit.
AFRIM TANALLARI
