Kulturë
Në Dibër po mbahet Festivali i Teatrit Shqiptar
28.10.2014 16:27
Me “Norën e Ibsenit”, mbrëmë në Qendrën e Kulturës në Dibër u ngrit sipari “Festivali i Teatrit Shqiptar në Maqedoni”...

Është ky festivali i 13-të me radhë, ku për 7 net do të performojnë 7 trupe teatrore profesioniste nga hapësira mbarëshqiptare. Festivalin e shpalli të hapur gjenerali, Gëzim Ostreni, ndërkaq mbarëvajtje të punimeve të këtij festivali shprehu sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Bexhihudin Shehapi.
Në natën e parë, në podium u ngjit trupa teatrore profesioniste e qytetit të Prizrenit me pjesën “Nora” (“Shtëpi kukulle”), të autorit Henrik Ibsen, me regji të realizuar nga Sokol Plakolli.
Artistët e mrekullueshëm të Prizrenit, në veçanti Niada Salihasi, sfiduan artin skenik, duke bërë përpjekje për të realizuar një dramë post-moderne. Ata vënë në lojë struktura të ndryshme udhëheqëse, ku kërkojnë të ngopin epshet e tyre në kurriz të artit dhe artistëve të mirëfilltë.
“Nora e Ibsenit”("Shtëpi kukulle") është personifikim i artistes, simbol i krijuar për të qenë e tillë siç është Nora.
Këtë festival e sponzoruan Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë, Komuna e Dibrës dhe Qendra e Kulturës në Dibër.
Sonte, në natën e dytë të festivalit, para publikut dibran do të paraqitet trupa profesioniste e Tetovës, me pjesën “Vdekja aksidentale e një anarkisti”, të autorit Dario Fo, me regji të realizuar nga Kushtrim Bekteshi.
ATLI DEMA
