Maqedoni
Orana: Në 15 sektorët e Shkupit asnjë shqiptarë
28.10.2014 16:33
Koordinatori i grupit të këshilltarëve të PDSH-së në Qytetin e Shkupit, Idriz Orana, në seancën për pyetje këshilltarësh kërkoi llogari nga kryetari i Qytetit të Shkupit...

Koordinatori i grupit të këshilltarëve të PDSH-së në Qytetin e Shkupit, Idriz Orana, në seancën për pyetje këshilltarësh kërkoi llogari nga kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, se pse në Administratën e Qytetit, që është e organizuar në 16 sektore, nuk ka asnjë shqiptar të punësuar në vendet udhëheqëse.
Orana, gjithashtu akuzoi Trajanovskin se ka larguar nga puna edhe të vetmin shqiptar që ka udhëhequr me Sektorin e Inspektoratit.
“Me ardhjen e kryetarit aktual, Koce Trajanovski edhe ai i vetmi shqiptar është larguar. Kështu që nga 14 sektore, apo 15, së bashku me brigadën e zjarrfikësve nuk kemi asnjë shqiptar në vendet udhëheqëse”- tha Idriz Orana nga PDSH.
Kryetari i Qytetit të Shkupi, tha se vendet e punës nuk plotësohen sipas përkatësisë etnike, por sipas asaj se kush i plotëson kriteret ligjore.
“Duhet të njihni Ligjin për Nëpunës Shtetëror, aty nuk mund të vendosim person sipas përkatësisë nacionale. Së shpejti pritet të shpallen konkurset dhe siç thashë, në fillim ftohen të gjithë ata që janë të interesuar dhe i plotësojnë kushtet, pa dallim të përkatësisë politike, fetare, nacionale, të konkurrojnë në ato vende pune. Nuk bëhet fjalë për diskriminim. Personi bëri gabim dhe duhej të largohej nga puna. Ndërsa gjithçka tjetër do të shkojë në bazë të Ligjit për Nëpunës Shtetëror. Kur të ketë konkurs, unë do të kisha dashur dhe do të isha i lumtur nëse në atë konkurs të radhitet i pari person nga nacionaliteti shqiptar, ose nuk është e domosdoshme të jetë i nacionalitetit shqiptar, mund të jetë rom, serb, maqedonas ose ç’farë do qoftë”- deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovksi.
Por, Orana nuk ndan mendimin me Trajanovskin dhe në replikën e tij tha se ka shumë shqiptarë që mund të punojnë në postet udhëheqëse në sektorët e Administratës së Qytetit të Shkupit.
SANIJE KASAMI
