Maqedoni
Prej 31 tetorit GPRS-KASA fiskale
28.10.2014 17:03
Kanë mbetur vetëm edhe disa ditë deri në skadimin e afatit për furnizim me kasa fiskale për të gjithë konsumatorët e mëdhenj...

Përkatësisht të gjithë konsumatorët që kalojnë qarkullim prej 10 milionë denarësh, përfshirë edhe shërbimet gastronomike dhe pikat e shitjes së karburanteve, do të duhet deri më 31 tetor të jenë të furnizuar me GPRS-kasa fiskale.
Sipas të dhënave të fundit të Drejtorisë për të Ardhura Publike, nga përafërsisht 8.900 taksa-pagues sa janë, vetëm 3.348 prej tyre deri më tani e kanë përmbushur këtë obligim ligjor.
“Po vërtetohet mentaliteti ynë, pritet java e fundit për t’i siguruar aparatet. Ne tani jemi në javën e fundit dhe të gjithë taksa-paguesit e mëdhenj, për të cilët përmbushja e afatit ligjor është fundi i këtij muaji, besoj se do ta përmbushin obligimin e tyre. Kemi kontaktuar me të gjithë. Informacionet nga tereni flasin se të gjitha firmat e mëdha janë në bisedime me shitësit e autorizuar dhe nga java e ardhshme do të vazhdojmë me taksa-paguesit e tjerë”- deklaroi drejtori i DAP-it, Goran Trajkovski.
Drejtori i Drejtorisë për të Ardhura Publike, Goran Trajkovski, ka paralajmëruar sanksione për të gjitha firmat të cilat nuk do të respektojnë afatin.
“Nëse nuk sigurohen aparatet e reja, do të pasojnë dënime për mospasje të kasave fiskale”- tha drejtori i DAP-it, Goran Trajkovski.
DAP, beson se deri në fund të muajit të gjithë taksa-paguesit e mëdhenj do të pajisen me GPRS-kasat e reja fiskale.
Ndërkohë, të gjitha firmat e tjera që nuk bien në kategorinë e taksa-paguesve të mëdhenj, do të duhet që këtë obligim ligjor ta përmbushin deri më 31 janar të vitit 2015.
NAIM RAMADANI
