Maqedoni
Kuvendi miraton rritjen e pensioneve
28.10.2014 17:41
Pensionistët do të marrin pensione më të larta për pesë për qind me pensionin për muajin shtator të vitit 2015...

Kuvendi, me procedurë të shkurtër shqyrtoi propozim-ligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Sigurim Pensional dhe Invalidor.
Sipas zëvendësministrit për Punë dhe Politikë Sociale, harmonizimi shënon vazhdën e rritjes së pensioneve, e cila gjatë vitit 2013, së bashku me harmonizimin e rregullt arriti në 7.35%, ndërsa në mars të vitit 2014 pensionet u rritën për 5% shtesë.
“Propozohet që për vitin 2015, përfshirë muajin shtator, të harmonizohen pensionet për pesë për qind dhe përmes kësaj forme të harmonizimit të ruhet vlera reale e pensioneve dhe standardi i pensionistëve. Do të kisha përmendur se në periudhën e kaluar Qeveria e RM-së nga viti 2006 deri në vitin 2013 ka rritur pensionet për rreth 50%”- deklaroi zëvendësministri për Punë dhe Politikë Sociale, Ibrahim Ibrahimi.
Nga harmonizimi i pensioneve përfitojnë mbi 300 mijë pensionistë. Fondet janë paraparë me buxhetin për vitin 2015.
Ndryshimet e reja në Ligjin për Sigurim Social parashohin edhe themelimin e një këshilli nacional për siguri sociale, të cilin do ta formojë ministri për Punë dhe Politikë Sociale. Këshilli do të përbëhet nga 11 anëtarë.
“Ky këshill para së gjithash formohet për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe interesave të shfrytëzuesve të pensioneve dhe merr përgjegjësi për avancimin e pozitës sociale, integrimin dhe përmirësimin e standardit jetësor të shfrytëzuesve të pensioneve”- tha zëvendësministri për Punë dhe Politikë Sociale, Ibrahim Ibrahimi.
Risia tjetër që parashihet me Ligjin për Sigurim Pensional është mundësia për aplikim elektronik në Fondin për Sigurim Pensional për realizimin e të drejtave nga Sigurimi Pensional dhe Invalidor.
SHPËTIM NUREDINI
