Përbërja e re e Kuvendit, për herë të parë shqiptarët me 32 mandate

27.07.2020 13:49

Bazuar në të dhënat përfundimtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve....

Bazuar në të dhënat përfundimtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, i cili dorëzoi edhe zyrtarisht mandatet për 120 deputetët e rinj të Kuvendit Republikan, partitë politike shqiptare me këtë përbërje e dalë nga zgjedhjet e 15 korrikut, kanë siguruar 32 deputetë.

Kjo nuk ka ndodhur që nga zgjedhjet e para parlamentare të vitit 1991 në Maqedoninë e Veriut. 

Deri më tani më së shumti që kanë mundur të nxjerrin deputet shqiptar ka qenë 29, edhe atë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2008.

Bashkimi Demokratik për Integrim nën udhëheqjen e Ali Ahmetit do të ketë 15 deputetë, pesë më shumë se sa në përbërjen e kaluar. Numrat e kësaj partie pritet të jenë vendimtare për Qeverinë e re.

Koalicioni mes dy partive, Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës, do të ketë 12 mandate deputetësh, një rritje e madhe e numrave në Parlament në krahasim me përbërjen e kaluar parlamentare.

Lëvizja BESA e Bilall Kasamit e cila ishte në koalicion me LSDM-në e Zoran Zevit, arriti të marrë katër deputetë. Partia Demokratike e Menduh Thaçit mori vetëm një deputet.

Konstituimi i Parlamentit 20 ditë pas zgjedhjeve, seanca thirret nga Xhaferi

Seanca konstituive e Kuvendit duhet  të thirret më së voni pas 20 ditës, nga dita e përfundimit të votimit. Të njëjtën duhet ta thërrasë kryeparlamentari nga përbërja e kaluar, Talat Xhaferi.

Në rast se kryetari i Parlamentit nuk thirrë seancë për konstituim, atëherë neni  63 i Kushtetutës parashikon që, deputetët të mblidhen dhe vetë të konstituojnë të njëjtin, në ditën e 21 nga dita e përfundimit të votimit.

Seanca në atë rast do të udhëhiqet nga deputeti më i vjetër i parlamentit, në këtë rast nga Ali Ahmeti.

Përbërja e re prej gjithsej 120 deputetë, siç e kanë të përcaktuar edhe me ligj,  duhet që gjatë mandatit të tyre 4 vjeçar, ti përfaqësojnë qytetarët nga të cilët kanë marrë dhe votën, dhe të marrin vendime të bazuara në bindjen e tyre. Mandati i deputetëve vërtetohet  nga kuvendi. Presidenti  konform Kushtetutës është i detyruar  që në afat  prej 10 ditësh nga konstituimi i Kuvendit , mandatin për përbërjen e re  të qeverisë  t’ia japë  kandidatit apo partisë , respektivisht partive që formojnë shumicën prej 61 deputetësh.

Mandatari në afat prej 20 ditësh  nga dita e dhënies së mandatit  kuvendit duhet ti dorëzojë  programin dhe propozon përbërjen e re të Qeverisë. 

Qeveria, e propozuar nga mandatari  dhe në bazë të  programit, zgjedhjet nga Kuvendi me shumicë votash  nga numri i përgjithshëm  i deputetëve. (Ersan Pajaziti, TVM2)