3 mld euro për rimëkëmbje, Iseni: Fondet e BE-së janë shumë të nevojshme për vendin
Tre miliardë eurot e fituara nga buxhetit shtatëvjeçar i BE-së...

Tre miliardë eurot e fituara nga buxhetit shtatëvjeçar i BE-së për përballje me pandeminë, vendi në periudhën e ardhshme duhet t’i shfrytëzojë në fushën e transportit dhe infrastrukturës, bujqësisë, mjedisit jetësor, reformave në drejtësi dhe fushave të tjera kyçe.
Paratë vendi duhet t’i tërheqë përmes grandeve të pakthyeshme dhe projekteve që kanë për qëllim të përshpejtojnë zhvillimin ekonomik dhe procesin e reformave. Drilon Iseni nga OEMVP thotë se duke e pasur parasysh së ende nuk dihet se sa do të zgjasë kriza e Kovid-it dhe dëmet e shkaktuara nga e njëjta ende nuk mund të thuhet se 3 miliard euro janë të mjaftueshme, por janë shumë të nevojshme për ekonominë e vendit tonë.
“3 miliard euro të injektohen në ekonominë e Maqedonisë janë një shumë shumë e madhe, ndërsa ajo çka duhet të bëjë qeveria është në programimin e këtyre mjeteve të bëjë një selektim të saktë se cilët sektorë do të kenë benefit nga këto mjete dhe të vendosen në vendin e duhur.”,- tha drejtori ekzekutiv i OEMVP-së, Drilon Iseni.
Qeveria të ndihmojë kompanitë në thithjen e mjeteve
Sipas Isenit, mënyra e vetme që në këtë periudhë krize të mos humben këto mjete është që qeveria duhet t’i ndihmojë kompanitë të cilat merren me mobilizimin e fondeve, me qëllim që këto mjetë të rrjedhin në mënyrë më të lehtë nga administrata në biznes.
“Duhet të përkrahen asociacionet profesionale apo edhe kompanitë të cilat merren me mobilizimin e fondeve nëpërmjet vauçerëve të ndryshëm që t’i ndihmojë bizneseve që të kenë më shumë sukses në realizimin e këtyre mjeteve. Gjithsesi, ne si Odë jemi të gatshëm që t’i japim kontribut qeverisë për të definuar cilat lëmi dhe sektorë industrialë janë prioritet në shfrytëzimin e këtyre mjeteve.”,- u shpreh drejtori ekzekutiv i OEMVP-së, Drilon Iseni.
Iseni thotë se edhe në të kaluarën ka pasur fonde nga BE-së, por sipas analizave janë shfrytëzuar vetëm 25 deri 30% e mjeteve, që është nivel shumë i ulët. (Gazmend Kurtishi, TVM2)
