“Covid 19”, Trump optimist për ritmet e zhvillimit të vaksinës
Presidenti Donald Trump thotë se Shtetet e Bashkuara...

Presidenti Donald Trump thotë se Shtetet e Bashkuara po ecin mirë në përpjekjet për zhvillimin e një vaksine, ndërkohë që në Karolinën e Veriut një laborator filloi prodhimin e dozave të një vaksine kandidate.
Presidenti vizitoi mjediset e laboratorit pranë qytetit Rali, ku do të fillojë prodhimi i dozave që do të shërbejnë për provat klinike me 30 mijë vullnetarë. Prova më e madhe klinike në botë me vaksinën kundër COVID-19 nisi të hënën me vullnetaret e parë nga 30 mijë të planifikuar.
Vaksina eksperimentale është prodhuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë dhe kompania “Moderna Inc.”, dhe është një nga disa prej kandidateve të mundshme në garën botërore për prodhimin e një vaksine kundër virusit.
Nuk ka ende asnjë garanci se vaksina eksperimentale e zhvilluar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit dhe “Moderna Inc.”, do të garantojë mbrojtje nga COVID-19.
Administrata Trump ka deklaruar Operacionin “Shpejtësia Marramendëse”, një program për mbështetjen e disa operacioneve paralele për zhvillimin e një vaksine me shpresën që brenda muajit janar do të ketë gati për përdorim 300 milionë doza të një vaksine të efektshme dhe të padëmshme.
