Maqedoni

Protesta e Koalicionit Ash-Alternativa, shkëmbim akuzash mes Osmanit dhe Rexhepit

28.07.2020 17:58

Marshi i protestës nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, me pretendimin për parregullsi në zgjedhjet e 15 korrikut...

Marshi i protestës nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, me pretendimin për parregullsi në zgjedhjet e 15 korrikut, ka shkaktuar reagime të ashpra nga ana e përfaqësuesve të BDI-së, përfshi zëdhënësin e kësaj partie, Bujar Osmanin, sipas të cilit me anë të kësaj proteste po etiketohet populli shqiptar para botës, ndërsa po tentohet që organizatorët t’i ikin përgjegjësisë së humbjes në zgjedhje.
 
“Nëse nuk ke turp, bëj çka të duash! Ta etiketosh popullin tënd para botës vetëm për t’i ikur përgjegjësisë për dështimin, është kulmi i turpit të kësaj politike adoleshente. Në kushte kur asnjë përfaqësues i vet atyre apo i cilit do subjekti tjetër, asnjë përfaqësues i organizatave civile, asnjë përfaqësues i OSBE/ODIHR-it nuk kanë konstatuar asnjë vërejtje në këtë proces zgjedhor, të protestosh kundër popullit pse nuk të ka votuar është marrëzi!”,- tha Bujar Osmani nga BDI.
 
Por, i menjëhershëm ka qenë kundër-reagimi i nënkryetarit të partisë Alternativa, Skender Rexhepi Zejdi, i cili ka potencuar se BDI nuk mund ta fsheh vjedhjen e votave pas petkut të kombëtarisë.
 
“Bëni të fala zëdhënësit të BDI-së dhe shefit të tij se hajnia dhe dhuna nuk mund të fshihen pas petkut të kombëtarisë, ngase ato nuk kanë përkatësi kombëtare. Shqiptarët nuk janë hajna e as dhunues, por mbrëmë shqiptarët ua hoqën maskat një grupi hajnash të BDI-së në krye me zëdhënësin dhe shefin e tij.”,- tha Zejdi Rexhepi nga AAA-ASh. 
 
Protesta e koalicionit ASH-Alternativa erdhi pasi KShZ dhe Gjykata administrative i hodhi poshtë ankesat për parregullsi në zgjedhje. 
 
FITIM KRYEZIU