Botë
Kosovë, 7 të vdekur e 239 të infektuar nga Kovid-19; Shqipëri, 4 të vdekur e 117 të infektuar nga Kovid-19; OBSh: Pandemia po përhapet me shpejtësi
28.07.2020 19:41
Gjatë 24 orëve të fundit, në Kosovë janë testuar gjithsej 401 persona të dyshuar për Covid-19...

Gjatë 24 orëve të fundit, në Kosovë janë testuar gjithsej 401 persona të dyshuar për Covid-19, prej të cilëve 239 rezultojnë pozitive, ndërsa 7 persona kanë humbur jetën.
Pavarësisht se për dallim nga shifrat e së hënës shihet një ulje e vogël, prapëseprapë shifrat edhe më tej janë të frikshme. Numri total i rasteve pozitive që nga fillimi i pandemisë në Kosovë është 7.652 raste nga 35.121 persona të dyshimtë në virusin Korona, me gjithsej 192 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
Në 24 orët e fundit janë shëruar edhe 102 pacientë, ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve ka arritur në 4,129, derisa numri i rasteve aktive është 3.331.
Edhe në Shqipëri thellohet bilanci i viktimave nga COVID-19 , ku brenda 24 orësh kanë ndërruar jetë 4 persona. Ndërkohë, 117 raste janë identifikuar pozitiv me virusin Korona.
“Fatkeqësisht, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen në spitalin Covid2 “Shefqet Ndroqi” 4 qytetarë: Një 84 vjeçare nga Shkodra, një 75 vjeçar nga Tirana pa sëmundje të tjera, si dhe 2 qytetarë nga Tirana: një 78 vjeçar dhe një 82 vjeçar, me sëmundje bashkëshoqëruese.”,- tha Rovena Daja nga Ministria e Shëndetësisë.
Ndërsa në Serbi kanë humbur jetën tetë persona nga COVID-19 në 24 orët e fundit, ndërsa po ashtu janë regjistruar edhe 379 raste të reja. Numri total i të vdekurve atje ka arritur në 551.
Greqia ka regjistruar 35 raste të reja me Covid-19, ku katër prej tyre u zbuluan në pikat hyrëse në vend njoftojnë autoritetet shëndetësore greke, ndërsa nuk është regjistruar asnjë i vdekur.
Që nga fillimi i shpërthimit, gjithsej 4.227 persona janë prekur nga Covid-19 në Greqi. Ndërkohë, numri i vdekjeve arrin në 202.
Sipas OBSH-së, numri i rasteve me Covid-19 është rritur në gjashtë javët e fundit. Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, shtoi se pandemia po përhapet me shpejtësi.
Vetëm me implementimin e masave të rrepta shëndetësore prej bartjes së masave e deri tek shmangia e turmave, bota do të arrinte të kapërcejë pandeminë, tha ai.
“Në gjashtë javët e kaluara, numri i përgjithshëm i rasteve është dyfishuar. Aty ku ndiqen masat, aty edhe do të ketë rënie të rasteve, ndërsa në vendet ku nuk zbatohen rregullat, rastet mund të pësojnë rritje.”,- u shpreh Tedros Adhanom Ghebreyesus nga OBSh.
Sipas shifrave të OBSH-së në nivel global numri i të infektuarve e ka kaluar 16 milionëshin dhe raportet për humbjet e jetëve tregojnë për 640,000.
FARIJE DAUTI BAKIJU
