Botë
Kosovë, 4 të vdekur e 194 të infektuar nga Kovid-19. Shqipëri, dy të vdekur e 108 të infektuar nga Kovid-19
29.07.2020 17:35
Në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit kanë humbur jetën 4 persona si pasojë e Covid-19...

Ndërkohë, nga gjithsej 449 testime, kanë rezultuar 194 raste pozitive, ndërsa 138 persona janë shëruar. Me këtë numri total i vdekjeve ka shkuar në gjithsej 196, ndërsa i të infektuarve në 7.846.
Ministri i shëndetësisë, Armend Zemaj, gjatë vizitës në Mitrovicë tha se lufta me pandeminë është prioritet kryesor i Qeverisë.
“Po bëjmë çmos që të rrisim kapacitetet edhe këtu, në mënyrë që pacientët e Mitrovicës, Vushtrrisë, Skenderajt, të mos kenë nevojë të shkojnë për trajtim në Prishtinë. Do të angazhohemi që ky spital të ofrojë shërbime shëndetësore, sigurisht më cilësore që përmbushin nevojat e qytetarëve të këtij qyteti dhe rajoni.”,- tha ministri i shëndetësisë i Kosovës, Armend Zemaj.
Edhe në Shqipëri numër treshifror i rasteve të reja me Covid-19. Nga 502 testime, 108 persona kanë rezultuar pozitivë ndaj virusit, 41 janë shëruar, ndërsa 2 persona kanë humbur jetën.
“Fatkeqësisht nuk e ka fituar betejën me sëmundjen në spitalin “Covid-1”, një 68 vjeçare nga Shijaku me sëmundje bashkëshoqëruese. Gjithashtu ka humbur jetën në spitalin “Covid 2” - “Shefqet Ndroqi”, një 60 vjeçare nga Tirana pa sëmundje të tjera. Aktualisht në Spitalin Infektiv “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 125 pacientë, 17 prej tyre janë në terapi intensive dhe 7 të intubuar.”,- tha Mirela Cami nga Ministria e Shëndetësisë.
Në Bosnjë-Hercegovinë virusi Korona i ka marrë jetën ministrit për çështjet e veteranëve në Federatën e Bosnjës-Hercegovinës, Sallko Bukvareviq. Ai ditë më parë kishte rezultuar pozitiv në testin për Kovid-19.
Vdekjen e tij e ka konfirmuar Qendra Klinike e Universitetit të Sarajevës. Sipas të dhënave të fundit të autoriteteve shëndetësore boshnjake, prej konfirmimit të rasteve të para, deri më tani janë infektuar më shumë se 11,000 persona, prej të cilëve 305 kanë vdekur.
Në Serbi kanë vdekur shtatë persona si pasojë e COVID-19 në 24 orët e fundit, ndërsa janë regjistruar 372 raste të reja. Deri tani në Serbi nga Kovid-19 kanë vdekur 558 persona.
Në Kroaci në 24 orët e fundit nga COVID-19 ka vdekur një person, ndërsa janë regjistruar 71 raste të reja. Numri total i të vdekurve në Kroaci ka arritur në 141 persona.
BELINDA KOKA ADEMI
