Botë

Bullgari, protesta kundër qeverisë, akuza për korrupsion dhe lidhje me mafian

30.07.2020 15:18

Bullgaria prej tri javësh përjeton protesta kundër korrupsionit qeveritar...

Bullgaria prej tri javësh përjeton protesta kundër korrupsionit qeveritar, ngecjes së reformës në drejtësi dhe autoritarizmit.

Kryeministri, Bojko Borisov, këmbëngul se ai nuk do të japë dorëheqjen për t’i kursyer vendit kaosin politik në këtë kohë pandemie.

Mijëra qytetarë bullgarë vazhdojnë të protestojnë me bindjen se nuk kanë për t’u ndalur pa u plotësuar kërkesat e tyre.

Në objektivin e demonstratave antiqeveritare qëndron largimit i kryeministrit, Bojko Borisov, dhe i kryeprokurorit të vendit, të akuzuar se nuk po veprojnë për të frenuar korrupsionin në vend.

Disa arterie rrugore të kryeqytetit Sofje u bllokuan duke penguar trafikun, teksa demonstruesit u frynin bilbilave dhe goditnin objekte metalike për të tërhequr vëmendjen.

Sipas protestuesve, qeveria është përgjegjëse për bllokimin e reformës në drejtësi, për mosluftimin e korrupsionit, për shkeljen e lirisë së fjalës dhe për lidhjet me grupet kriminale.

Protestat u nxitën tri javë më parë kur kryeprokurori i vendit urdhëroi bastisjen e selisë presidenciale, ku kreu i shtetit, Rumen Radev, mban qëndrime kritike ndaj qeverisë.