Maqedoni

Kurban Bajrami në pandemi, qytetarët bëjnë përgatitjet për festën

30.07.2020 16:57

Është festa e dytë e Bajramit që besimtarët do duhet ta festojnë në kushte të pandemisë globale të Covid-19...

Është festa e dytë e Bajramit që besimtarët do duhet ta festojnë në kushte të pandemisë globale të Covid-19, por pavarësisht kësaj, ata bëjnë sot përgatitjet e fundit për të pritur këtë festë. 
 
Situata me virusin ka ndikuar edhe në blerjen e kurbanëve nga ana e besimtarëve për këtë festë. Shitësit ankohen se kësaj radhe kërkesa për blerje është shumë e ulët në krahasim me vitin e kaluar.
 
“Nuk ka njerëz, shumë dobët është, vetëm vijnë e pyesin, por fare nuk blejnë. Ka ndikuar edhe situata me Koronën, njerëzit me muaj nuk kanë marrë para.”,- tha një shitës.
 
“Interesimi është shumë i dobët, çmime nuk ka të mira. Rrallë njerëz vijnë. Sigurisht që ka ndikuar edhe koronavirusi. Në krahasim me vjet, është shumë dobët.”,- u shpreh një shitës. 
 
Tregu i Bit Pazarit, si një ndër tregjet më të mëdha, ishte i mbushur me njerëz që kishin dalë për t’u furnizuar me gjëra ushqimore për festën. Situata e krijuar thuaje në mbarë botën me virusin Covid-19 ia ka zbehur shijen kësaj feste, shprehen qytetarët.
 
“I morëm gjithë nga pak si çdo herë për Bajram. Kësaj radhe për shkak të situatës do të ruhemi më shumë me maska dhe të ruajmë distancë, pasi kjo është e gjitha.”,- u shpreh një qytetar.
 
“Jo si festat tjera për shkak të pandemisë, pasi vizitat do të jenë më të reduktuara, por ajo është.”,- theksoi një qytetar. 
 
Festa e Bajramit nis me faljen e namazit të Bajramit pas lindjes së diellit, ndërsa rituali që e karakterizon këtë festë të besimtarëve është therja e kurbanit.
 
ZEKIRIJA MEXHITI