Botë
Kosovë, 16 viktima e 258 raste të reja me Covid-19. Tërnava pezullon faljen e namazit të Bajramit. Shqipëri, 4 viktima e 92 raste të reja me Covid-19. Botë, arriti në 17 mln numri i të infektuarve
30.07.2020 17:52
16 viktimat e 24-orëshit të fundit e çojnë në 212 numrin e të vdekurve nga Covid-19 në Kosovë...

16 viktimat e 24-orëshit të fundit e çojnë në 212 numrin e të vdekurve nga Covid-19 në Kosovë, numra të cilët krahas faktit që janë në rritje mbeten edhe shqetësuese për ditët në vijim.
Nga 480 mostra konfirmohen 258 raste pozitive ndërsa 196 persona janë shëruar. Numri i përgjithshëm i rasteve pozitive arrin në 8.104, njoftojnë autoritetet shëndetësore.
Për shkak të gjendjes shqetësuese me pandeminë, kryetari i BIK, Naim Tërnava pas takimit me kryeministrin, Avdulla Hoti, dhe ministrin e shëndetësisë ka vendosur se nuk do të falet namazi i Kurban Bajramit nëpër xhamitë e Kosovës.
“Kërkoj nga të gjithë që të respektohen këto masa dhe të kenë parasysh nesër përkundër asaj që nuk do të ketë falje të namazit të Bajramit të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, mos të shkojnë për vizita te njëri tjetri.”,- tha kryetari i Bashkësisë Islame – Kosovë, Naim Tërnava.
“Ne jemi në limitet e kapaciteteve tona shëndetësore dhe e vetmja mënyrë për ta tejkaluar këtë situatë është duke bashkëpunuar duke i respektuar në përpikëri udhëzimet që jep stafi shëndetësor IKSH, prandaj unë falënderoj Bashkësinë Islame për bashkëpunimin që kemi pasur dhe mesazhet e qarta që sot ka dërguar tek gjithë besimtarët.”,- u shpreh kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit Kovid-19 shënon 4 viktima ndërsa nga 507 testime e bëra konfirmohen 92 raste të pozitive, derisa 53 persona janë shëruar informojnë Ministria e Shëndetësisë.
“Fatkeqësisht, virusi i rrezikshëm nuk ka kursyer as një të ri 31 vjeçar nga Tirana i prekur nga COVID19, që vuante nga diabeti, i cili ka ndërruar jetë në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Nuk e kanë fituar dot betejën edhe 3 qytetarë të tjerë.”,- deklaroi drejtoresha e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Mirela Cami.
Situatë e rënduar edhe në vendet e rajonit edhe në botë. Në nivel botëror nga koronavirusi kanë humbur jetën mbi 665 mijë njerëz, ndërsa numri i të infektuarve është afro 17 milionë.
LEUNORA KALIQI
