Botë
ShBA, vendim për tërheqje të ushtarëve nga Gjermania
30.07.2020 18:39
SHBA do të tërheqë më shumë trupa sesa pritej nga Gjermania. Sipas sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Mark Esper...

SHBA do të tërheqë më shumë trupa sesa pritej nga Gjermania. Sipas sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Mark Esper, trupat e SHBA-së në Evropë do të zvogëlohen në mënyrë të konsiderueshme.
Sidomos në Gjermani do të ketë një reduktim të madh. Janë gati 12 mijë trupat amerikane që do të tërhiqen nga gjermania për tu zhvendosur në Belgjikë dhe Itali.
Kjo zhvendosje strategjike, sipas Pentagonit, do të ndihmojë në frenimin e Rusisë. Sipas pales amerikane pritet që ripozicionimi i trupave të forcojë NATO-n, të rrisë bllokadën kundër Rusisë dhe të përmirësojë fleksibilitetin strategjik dhe operacional të SHBA-së.
Nga 34,500 ushtarë amerikanë, që janë të pozicionuar në Gjermani, rreth 6,400 do të kthehen në shtëpi, ndërsa afro 5,600 do të ripozicionohen në shtete të tjera të NATO-s.
Vendimi ka ardhur pasi presidenti Trump ka kritikuar vazhdimisht Gjermaninë për mos përmbushje të angazhimeve ndaj NATO-s, përkatësisht të pagesës prej 2% të bruto prodhimit vendor për aleancën ushtarake.
