SHBA-ja i përforcon masat e sigurisë në objektet qeveritare

29.10.2014 10:37

Departamenti i Sigurisë Kombëtare amerikane, ka njoftuar se do të rritë sigurinë në ndërtesat federale të qeverisë në kryeqytet, në Uashington dhe në vende të tjera......

Kreu i Departamentit të Sigurisë Kombëtare Xhej Xhonson, ka njoftuar për këtë vendim, më 28 tetor, një javë pasi që një njeri i armatosur ka shtënë me armë zjarri një ushtar në Otava të Kanadasë, i cili ka arritur të hyjë edhe në parlament.

Xhonson ka thënë se rritja e sigurisë vjen si rezultat i 'thirrjeve të vazhdueshme publike nga organizata terroriste, për sulme ndaj Amerikës dhe vendeve të tjera'.

"Ky është një hap paraprak, që mbron ndërtesat dhe personelin e qeverisë, po ashtu mbron vizitorët e tyre", ka thënë Xhonson.

Por ai nuk bëri të ditur se cilat do të jenë këto ndërtesa që do t'i nënshtrohen një sigurie më të lartë në vend, nga ana e Departamentit të Sigurisë Kombëtare.

Ndryshe, ky departament, ruan afërsisht 10.000 ndërtesa të qeverisë amerikane.