SHBA, kundër zgjedhjeve të separatistëve pro-rusë në Ukrainë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë dënuar paralajmërimet e separatistëve pro-rusë për mbajtjen e zgjedhjeve në Ukrainën Lindore, duke i konsideruar ato si të paligjshme.........

Dy rajonet separatiste të Donetskut dhe Luhanskit kanë deklaruar mbajtjen e zgjedhjeve më 2 nëntor. Kjo vjen si përgjigje e rebelëve për të kundërshtuar zgjedhjet parlamentare të Ukrainës, të mbajtura më 26 tetor, të cilat i fitoi partia pro-evropiane e presidentit, Petro Poroshenko.
Sekretari i Shtetit amerikan, John Kerry, ka paralajmëruar se këto votime shkelin rëndë marrëveshjen e armëpushimit të arritur në Minsk, mes separatistëve pro-rusë, Rusisë dhe Ukrainës.
Edhe presidenti, Poroshenko, ka dënuar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, duke i quajtur ato si “shkatërruese dhe provokuese”. Ai ka akuzuar edhe Rusinë për përfshirjen dhe mbështetjen që po i jep këtij organizimi.
Por, pavarësisht kritikave të Kievit dhe SHBA-ve, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se Moska e ka në plan që të njohë zgjedhjet e organizuara nga separatistët në Donetsk dhe Luhansk të Ukrainës Lindore.
