Nuk ka shpresa për 18 minatorët e ngujuar në minierën e qymyrit në Turqi
Gjithnjë e më të vogla janë shpresat për shpëtimin e 18 minatorëve të bllokuar në një minierë qymyri të përmbytur në Jug të Turqisë.......

Ekipet e shpëtimit, përfshirë edhe zhytës, vazhduan punën e tyre në minierën që ndodhet në periferi të qytetit Ermenek, në provincën Karaman, rreth 110 km në veri të brigjeve të Mesdheut në Turqi.
Ministri i Energjisë, Taner Yildiz, u ka thënë gazetarëve se niveli i ujit që kishte përmbytur minierën e kishte tejkaluar tashmë zonën ku gjendeshin minatorët. “Uji po shtohet me 1 metër çdo 2 orë. Koha po shkon kundër nesh”- tha Yildiz, duke shtuar se 34 persona ishin duke punuar nëntokë në momentin e përmbytjes.
Se nga erdhi uji është ende e paqartë dhe dyshohet të jetë nga një depozitë shirash apo diçka tjetër, tha Yildiz. Përmbytja ka ndodhur rreth orës 15 të mesditës, ndërkohë që minatorët e bllokuar kanë qenë rreth 350 metra nëntokë, bëri të ditur Kerim Pinarli, njëri prej 16 minatorëve që mundën të dilnin nga situata e rënduar. Ky është aksidenti i dytë madhor industrial në një minierë turke në këto 6 muajt e fundit.
Fatkeqësia më vdekjeprurëse e Turqisë ndodhi në maj, në qytetin perëndimor të Somas, ku 301 minatorë mbetën të vdekur, duke nxitur protesta kombëtare mbi sigurinë e dobët të punëtorëve në vend.
