Tragjedia në Bejrut, protesta antiqeveritare pës shpërthimit

07.08.2020 13:37

Shpërthimi i së martës në Bejrut të Libanit dhe tragjedia e shkaktuar më pas...

Shpërthimi i së martës në Bejrut të Libanit dhe tragjedia e shkaktuar më pas,  ka nxitur edhe protesta antiqeveritare. Protestuesit që dolën rrugëve ku ende ka gjurmë të tragjedisë së kësaj jave u përleshën me forcat libaneze të sigurisë.

Oficerët përdorën gazin lotsjellës ndaj dhjetëra njerëzve që u grumbulluan pranë parlamentit.

Demonstruesit janë të zemëruar nga shpërthimi shkatërrues i së martës, për të cilin zyrtarët thonë se u shkaktua nga 2,750 ton nitrat amoniumi të ruajtur në mënyrë të pa sigurt që nga viti 2013.

Janë të shumtë në Liban që thonë se pakujdesia e qeverisë çoi në shpërthim, i cili vrau të paktën 137 njerëz dhe plagosi rreth 5000 të tjerë.

Që nga tragjedia dy zyrtarë kanë dhënë dorëheqjen. Deputeti Marwan Hamadeh u dorëhoq të mërkurën, ndërsa ambasadori i Libanit në Jordan, dha dorëheqje të enjten, duke thënë se katastrofa tregoi nevojën për një ndryshim në udhëheqje.

Agjencia shtetërore e lajmeve thotë se 16 persona janë arrestuar si pjesë e një hetimi të shpallur nga qeveria këtë javë.

Një peticion për të vendosur Libanin nën kontrollin e Francës ka mbledhur më shumë se 50 mijë firma 24 orët e fundit. Presidenti francez Emmanuel Macron mbërriti në Bejrut gjatë së enjtes për të treguar mbështetjen e Francës për ish-koloninë e saj pas shpërthimit të fuqishëm e shkatërrimtar në Bejrut.

Një prej nënshkruesve të këtij peticioni tha për mediat  atje se qëkur u largua Franca, vendi ka pësuar vetëm rënie, me luftë civile dhe krizë ekonomike, politike dhe kufitare”.