BE, i bën “rentgen” luftës kundër korrupsionit

29.10.2014 14:16

Efikasiteti i institucioneve të vendit gjatë tre viteve të ardhshme do t’i nënshtrohet një analize të thellë për integritet nacional........

Bëhet fjalë për zbatimin e projektit “Përforcimi i Sistemit për Integritet Nacional i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë”, i cili ka për qëllim të identifikojë përparësitë dhe mangësitë e institucioneve të sistemit në më shumë fusha të vendit. Projekti do të sigurojë një analizë të plotë mbi kapacitetin, rolin dhe mënyrën e udhëheqjes së institucioneve dhe ndikimin mbi korrupsionin si dukuri shqetësuese në vend.

“Lufta kundër korrupsionit është një front i gjerë, nuk luftohet vetëm nga policia, Komisioni Shtetëror Kundër Korrupsionit, por gjithashtu edhe nga mediat, shoqëria civile dhe në masë të madhe edhe nga vetë qytetarët. Vetë kur të gjithë forcat do t’i thonë jo korrupsionit, vetëm atëherë do të shënohet përparim”- deklaroi ambasadori i BE-së në RM, Avio Orav.

“Në projektin tonë do të analizojmë 15 shtylla të integritetit nacional, përfshirë parlamentin, gjykatat, prokurorinë, mediat, shoqërinë civile, komisionet kundër korrupsionit, institucionet shtetërore, qeverinë. E gjithë kjo shihet në kuadër të asaj se si funksionon sistemi për integritet brenda këtyre institucioneve, se si funksionojnë sistemet për transparencë dhe përgjegjësi”- tha Slagjana Taseva  nga TI.

Rezultatet e projektit do të mund të shfrytëzohen si mekanizëm për ta matur përparimin e institucioneve, të krahasohen performancat midis tyre, si dhe të identifikohen praktikat e mira dhe të këqija.

Bartëse e projektit është “Transparency Internacional”, ndërsa do të zbatohet në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Turqinë. (Naim Ramadani, TVM2)