Universitetet shkelin privatësinë e studentëve
Me moton “Privatësia është vetëm e jotja”, Drejtoria për Mbrojtjen e të Dhënave Personale informoi studentët e Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi” për mbrojtjen e të dhënave personale..........

Privatësia e studentit shkelet edhe në rastet kur dorëzohet fletëparaqitja për t’iu nënshtruar provimit e deri tek shpallja e rezultateve në tabelë publike, me ç’rast potencohet numri i dosjes, emri dhe mbiemri i prindit dhe të dhëna e tjera, ndërsa të gjitha këto paraqesin shkelje të privatësisë.
“Nuk ka nevojë që këto të dhëna të shpallen në tabela ku mund t’i shohin të gjithë. Çdo student posedon dosjen e tij, e cila ka informacione të mjaftueshme për identifikim. Ne në kontinuitet po punojmë me të gjitha universitetet, t’ua sqarojmë këto rregulla të privatësisë”- deklaroi drejtori i Drejtorisë për Mbrojte të të Dhënave Personale, Dimitar Gjeorgjievski.
“Shpallja e rezultateve, pa marrë parasysh se a bëhet fjalë për provim apo kolokvium dhe dhënia në disa raste edhe e numrit amë, nënkupton shkelje të privatësisë, një rast i tillë është evidentuar në Fakultetin Ekonomik në Prilep, me ç’rast institucioni ynë ka reaguar për shkelje të privatësisë”- tha zëvendësavokatja e popullit, Vaska Bajramovska Mustafa.
“Studentëve duhet t’u prezantohen këto gjëra, që ata të dinë në të ardhmen ku të drejtohen nëse vërejnë shkelje të tilla, prandaj fillimisht duhet të edukohemi në këtë aspekt”- theksoi kryetari i Parlamentit Studentor, Kiril Spirovski.
Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale parasheh edhe dispozita kundërvajtëse për të gjitha institucionet arsimore ku do vërehen shkelje të tilla. (Flutura Latifi, TVM2)
