Teatri i Tetovës, mahniti publikun në Dibër
Mbrëmë, publikut dibran emocione mbresëlënëse dhe fascionante i dha Teatri Shqiptar në Maqedoni në “Dibra 2014”, si dhe trupa profesioniste nga qyteti i Tetovës me shfaqen “Vdekja aksidentale e një anarkisti” të Dario Fo, në regji të realizuar nga Kushtrim Bekteshi........

Pjesa e mbrëmshme u vlerësua si shfaqe e nivelit të lartë, e plotë, me koncept të mrekullueshëm regjisorial dhe me premisa profesionale.
Me shfaqen “Vdekja aksidentale e një anarkisti”, regjisori dhe aktorët me mjeshtëri të rrallë, ashtu siç dinë artistët profesionistë, arritën që të prezantojnë denjësisht thumbimin e pushtetit të ç’thurur, gjegjësisht degjenerimin e shoqërisë. Vënia në thumb e degjenerimit të moralit shtetëror te publiku japin mesazh dhe apel të qartë në shpëtimin e njeriut nga interesat materiale dhe degjenerimin e shoqërisë të mbytur në amoralitet. Interpretimi virtuoz e mjaft interesant i shfaqjes “Vdekja aksidentale e një anarkisti” nëpërmjet gjuhës skenike dhe mizanskenës arriti të familjarizohet dhe mishërohet me publikun.
Ngjarja realizohet në stacionin policor, ndërkaq personazhi kryesor është një i çmendur, i cili gjatë gjithë kohës do te hulumtojë incidentin në të cilin një anarkist bie nga dritarja e katit të katërt të stacionit policor, ku është marrë në pyetje. Ai e zbulon idiotësinë dhe gënjeshtrat e zyrtarëve policor. Autori përmes kësaj komedie të këndshme vë në spikamë dobësitë dhe kurthet e liga që realizojnë strukturat shtetërore ndaj qytetarëve të pafajshëm.
Në natën e tretë, gjegjësisht sonte, në skenë do të ngjitet Teatri “Petro Marko” nga Vlora, me pjesën “Borxhlinjtë” të autorit, August Strindberg, me regji të realizuar nga Roland Minga. (Atli Demi, TVM2)
