“Skupi festival”, 7 shfaqe teatrore në 7 ditë
Qendra Kulturore e të Rinjve, sivjet do të jetë nikoqire e festivalit të tetë me radhë “Skupi Festival 2014”.......

Të gjithë dashamirët e artit dhe kulturës, që nga 31 tetori deri më 6 nëntor 2014 do të kenë mundësi që në kuadër të Festivalit Ndërkombëtarë “Skupi Festival 2014”, të ndjekin materiale teatrore të zhanreve të ndryshme.
Sipas drejtorit të festivalit, Muzbajdin Qamili, trupat teatrore që do të zbarkojnë në Qendrën Kulturore të të Rinjve do të kënaqin publikun me prezantimet e tyre, të cilat përfshijnë tema që lëvizin prej problemeve aktuale, sociale, politike deri të problemet personale, që prekin thelbin e ekzistimit të njeriut.
“Këtë javë kemi shtatë shfaqje nga shtatë vende të ndryshme. I gjithë publiku që do të vijë ka se çka të shohë. Festivali jonë do të sjellë kreativitet, do të jenë aktorë të ndryshëm, kostumografi, skenografi të ndryshme, regjizura të ndryshme dhe ne si staf shpresojmë se kemi bërë një punë të mirë deri në këtë moment. Shpresoj që festivalin këtë vit ta ndjekin sa më shumë njerëz, se me të vërtetë kanë çka të shohin”- deklaroi drejtori i Festivalit “Skupi Festival 2014”, Muzbajdin Qamili.
Festivali do të hapet me shfaqjen “Të gjithë zogjtë janë atje”– koproduksion midis Teatrit “Shllahtaus” të Bernit (Zvicër), si dhe Teatrit “Pokolenij” nga Sankt Peterburgu (Rusi), kurse do të mbyllet me shfaqjen “Varreza për Boris Davidoviçin”, e cila premierën e saj do ta ketë pikërisht në Shkup, në këtë edicion të festivalit. Në fakt, “Varreza për Boris Davidoviçin” duket se është shfaqja më aktuale që paraqitet në hapësirat ballkanike, e punuar si koproduksion të përfaqësuesve eminent të skenës së pavarur kulturore në Ballkan–Fondit “Hartefakt” dhe “Bitef” Teatrit nga Beogradi (Serbi), “Novo Kazalishte” nga Zagrebi (Kroaci), Mini Teatrit nga Lublana (Slloveni), “Zadar Snova” nga Zara (Kroaci) dhe “CZKD” nga Beogradi (Serbi).
Ky eveniment kulturor mbështetet financiarisht nga Ministria e Kulturës, Këshilli i Qytetit të Shkupit dhe “ONE Telecom Slovenia Grup”. (Valbon Bexheti, TVM2)
