Maqedoni
Kushtetuesja shtyn seancën për emrat e shkollave në Çair
29.10.2014 15:07
Gjykata Kushtetuese, shtyu sot shqyrtimin e nismës për verifikimin e kushtetutshmërisë së vendimit për riemërtimin e katër shkollave shqipe në Çair

Seanca është anuluar dhe ky ishte i vetmi sqarim që u është dhënë mediave dhe opinionit.
Mospranimi i vendimit të Këshillit të Komunës dhe i Këshillit të Prindërve për ndryshimin e emrave të këtyre shkollave, vazhdon edhe sot e kësaj dite të jetë temë e nxehtë, e cila hapet çdoherë që përmendet brishtësia e marrëdhënieve ndëretnike në vend.
Procedura për verifikimin e kushtetutshmërisë së ndryshimit të emrave të 4 shkollave në Çair u iniciua nga drejtori i Inspektoratit të Pushtetit Lokal, Vanço Shehtanski.
Vetë ministri i Arsimit shumë herë ka deklaruar se pret një moment më të mirë për nënshkrimin e vendimit për emrat e shkollave të Çairit, që sipas Ademit, do të jetë në momentin kur ky vendim nuk do të ketë ndonjë efekt negativ në marrëdhëniet mes dy etniteteve më të mëdha në vend.
Por, duket se vendimi për emërtimin e një shkolle me emrin e një dëshmori të UÇK-së nuk po gëlltitet lehtë nga partneri maqedonas i koalicionit dhe kjo mund të jetë shkaku i vonesës së firmosjes së vendimit për ndryshimin e emrave edhe të shkollave të tjera.
Nëse Ministria e Arsimit pret ndonjë datë të rëndësishme për të ndërruar emrat e shkollave të Çairit, “Dita e Alfabetit Shqip” është një datë e tillë, madje e afërt.
Por, na duhet të presim nëse festa e 22 nëntorit do të kthehet në festë edhe për shkollat e Çairit dhe a do të mbajnë ata më në fund emrat e përzgjedhur prej qytetarëve shqiptarë, shumicë në këtë komunë.
MIGENA GORENCA
