Ekonomi

Strategji për orientimin e diasporës drejt investimeve konkrete

29.10.2014 15:16

Diaspora ka ndikim të fuqishëm në ekonominë e Maqedonisë. Remitancat që vijnë nga diaspora llogaritet të arrijnë nivelin prej 18% të BPV-së ose rreth 1.3 miliard euro në vit...

Ky indikator tregon se vendi ka një kapacitet të konsiderueshëm ekonomik në diasporë, i cili remitancat, që kryesisht harxhohen për konsum ditor dhe patundshmëri, mund t’i orientojë në investime kapitale dhe hapjen e kompanive të vogla dhe të mesme.  
 
“Ne edhe në projeksionet tona llogarisim në shkallën prej 18% nga BPV-ja i të gjitha transfertave private ku përfshihet numri më i madh i remitancave. Nëse llogarisim atë numrin e pastruar, që sërish është vlerësim i përgjithshëm, sërish numri është i madh dhe sillet rreth 12% nga BPV-ja e dërgesave të pastra”- deklaroi  guvernatori i Bankës Popullore, Dimitar Bogov.
 
Institucionet shqyrtojnë mundësinë për hartimin e një strategjie kombëtare se si këto transferta devizore t’i orientojnë drejt investimeve.  
 
“Më shumë se 70% të dërgesave devizore që vijnë në Maqedoni, vijnë nga vendet e Evropës Perëndimore edhe atë nga Gjermania 24%, nga Italia 22%, nga Australia 13%, nga Zvicra vijnë 11% të dërgesave devizore po aq sa vijnë nga Turqia,  ndërsa nga  ShBA-të dhe Kanadaja vijnë 9%”- tha kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme,  Antonio Milloshovski.
 
Që diaspora mund të investojë në Maqedoni dhe mund të ketë sukses, këtë e dëshmoi vetë pronari i kompanisë “Renova”, Shefki Idrizi.
 
Sipas tij, vendi është i sigurt për investime, ndërkaq institucionet duhet të mbajnë kontakt të vazhdueshëm me diasporën, të shkurtojnë procedurat administrative për kompanitë dhe të kontrollojnë cilësinë e produkteve në treg për të evituar konkurrencën jolojale.
 
“Por, gjithsesi ne duhet të bindim që ata me mundësitë e tyre, me aftësitë e tyre profesionale që kanë, të kthehen në vendlindje. Unë jam një dëshmitar i gjallë mes shtetit, qeverisë dhe diasporës, të dëshmoj se në Maqedoni janë kushtet për të punuar”- u shpreh afaristi nga diaspora, Shefki Idrizi.
 
Ndryshe, konsiderohet se remitancat kanë ndikim të madh edhe në stabilitetin e kursit devizor dhe në uljen e deficitit pagesor nga 24% në rreth 2%.
 
SHPËTIM NUREDINI