Botë
Sa është e sigurt të shkosh në punë gjatë kohës së pandemisë
10.08.2020 16:10
Pandemia Covid-19 ka izoluar shumë vende të botës për një periudhë të konsiderueshme...

Pandemia Covid-19 ka izoluar shumë vende të botës për një periudhë të konsiderueshme, ka kufizuar shumë aktivitete dhe ka ndryshuar shprehi të shumta të njerëzve.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), sëmundja COVID-19, që e shkakton korona virusi, kryesisht përhapet nga pikëzat që lëshojmë kur flasim, kollitemi apo teshtijmë ose në rast të kontaktit me sipërfaqet e kontaminuara.
Ekspozimi mund të ndodhë në vendin e punës, gjatë udhëtimit për në punë, ose gjatë ndonjë udhëtimi zyrtar në një zonë ku ka me transmetim të komunitetit lokal, si dhe në rrugën për dhe nga vendi i punës.
Rreziku i ekspozimit ndaj COVID-19 në vendin e punës varet nga gjasat e të qenit brenda 1 metrit afër të tjerëve, nga kontakti i shpeshtë fizik me njerëzit që mund të infektohen me koronavirus dhe përmes kontaktit me sipërfaqe dhe objekte të kontaminuara.
OBSH rekomandon që masat për të parandaluar transmetimin e COVID-19 të zbatohen në të gjitha vendet e punës dhe për të gjithë personat në vendin e punës. Masat e rekomanduar përfshijnë larjen e shpeshtë ose dezinfektimin e duarve me dezinfektues me përmbajtje të alkoolit, mbajtjen e higjienës, mbajtjen e distancës fizike ose vendosjen e maskave kur mbajtja e distancës nuk është e mundur.
Po ashtu, rekomandohet pastrimi i rregullt i mjedisit të punës dhe dezinfektimi dhe shmangia e udhëtimeve të panevojshme. Këshillohet që kur njerëzit teshtinë apo kolliten, të mbulojnë fytyrën.
Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon sigurimin e hapësirës së mjaftueshme, të paktën 10 metra katrorë për çdo punëtor. Gjithashtu, në të gjitha vendet e punës, në zyre, duhet të ketë ajër të pastër. Për punët dhe detyrat e punës me rrezik të mesëm ose të lartë të ekspozimit, OBSH-ja rekomandon rritjen e ventilimit përmes ajrimit natyral ose ventilimit artificial, mundësisht pa riciklim të ajrit. Në rast të riciklimit të ajrit, filtrat duhet të pastrohen rregullisht.
