Maqedoni
PDSH: Jashari të kërkojë falje e të japë dorëheqje
29.10.2014 16:26
Partia Demokratike Shqiptare është mes partive që do të gjobiten, për shkak se nuk ka respektuar obligimin ligjor për deklarimin e donacioneve financiare...

PDSH ka reaguar, duke akuzuar Ministrinë e Drejtësisë se punon kundër kësaj partie, duke dashur ta dëmtojë atë përmes revidimit të vendimit të revizionit. Akuzat e këtilla i ka bërë deputeti dhe nënkryetari i PDSH-së, Orhan Ibrahimi.
“Përkundër raportit të revizionit për partitë politike ku për PDSH-në nuk ka asnjë vërejtje dhe është një ndër partitë më transparente, ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, me një vendim tenton ta njollosë PDSH-në, ja dokumentet. Në dokumentin e dytë nga revizioni kërkohet nga Ministria e Drejtësisë që ta revidojë vendimin e saj, sepse me PDSH-në është çdo gjë në rregull”- deklaroi deputeti i PDSH-së, Orhan Ibrahimi.
Ibrahimi ka deklaruar se nga PDSH-ja kërkojnë urgjentisht nga ministri i Drejtësisë që të tërheq vendimin, sipas tij, të turpshëm dhe që njollos PDSH-në, e të kërkojë falje dhe të japë dorëheqje.
Ligji për Financimin e Partive obligon subjektet politike të deklarojnë çdo vit raportin e tyre financiar, si dhe mjetet që ata kanë pranuar si donacion. PDSH, si parti parlamentare, në vend të gjobës nuk do t’i marrë mjetet që i takojnë nga shteti në bazë të rezultateve në zgjedhje.
MEFAIL ISMAILI
