Rikonstruohet shkolla fillore në Vrapçisht
U lëshuar sot në përdorim ndërtesa e rikonstruuar e shkollës fillore “Vrapçisht” në fshatin Vranjofcë të Komunës së Vrapçishtit.......

Punimet në këtë objekt filluan gjatë verës, si një investim përmes projektit të USAID-it për Integrim Ndëretnik pranë Ambasadës së Amerikës, Komandës Evropiane të Ushtrisë Amerikane (EUKOM) dhe Komunës së Vrapçishtit, e cila participoi me 20 për qind të mjeteve.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, pasi falënderoi Qeverinë e SHBA-ve për financimin e rinovimit të shkollës së Vranjofcës, tha se Komuna e Vrapçishtit është në mesin e atyre qeverive lokale që zhvillimin e sheh nëpërmjet investimeve në arsim dhe kjo dëshmohet me shumë investime në shkollat e kësaj komune.
“Më duhet të shpreh mirënjohjen time për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe Komandës Evropiane të Ushtrisë Amerikane për angazhimin dhe mbështetjen e tyre bujare, që çdo mësimdhënës në Republikën e Maqedonisë të fitojë kushte të avancuara për punë, kurse nxënësve duhet t’ju tregoj-Arsimi është e ardhmja juaj”- tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.
"Ky objekt ishte nevojë për banorët e këtij fshati shumë moti, me qëllim që të arrihen kushtet për zhvillim normal të mësimit dhe përmirësimi i kushteve në këtë shkollë janë vetëm një hap nismëtar për të vazhduar që të gjithë së bashku të edukojmë fëmijët tanë në frymën e bashkëjetesës”- deklaroi kryetari i Komunës së Vrapçishtit, Bajram Kadrija.
“Ne, bashkërisht realizuam këtë projekt kapital, i cili ishte shumë i nevojshëm për fëmijët e banorëve të kësaj ane. Është impresive se sa shumë mund të arrijmë duke punuar bashkë. Kjo është edhe motoja e Komandës Evropiane të Ushtrisë Amerikane, pra bashkë jemi më të fortë dhe ne jemi duke ndërtuar shumë më tepër se klasa për ambient më të mirë mësimor”- u shpreh kolonelja, Xhen Ford, atashe e Forcave Ajrore në Zyrën e Atasheut Ushtarak pranë Ambasadës së SHBA-ve në Shkup.
Vlera e investimit kap shifrën prej 30 mijë dollarë. Në ndërtesën e re të shkollës në Vranjofcë mësojnë rreth 40 nxënës, nga klasa e parë deri në klasën e katërt, më pas prej klasës së pestë mësimi ndiqet në shkollën fillore qendrore në fshatin Vrapçisht. (Lulzim Hairi, TVM2)
