Ftesa e Ahmetit për partitë shqiptare, Sela e Gashi pro takimit, por në datë tjetër

12.08.2020 13:40

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela dhe ai i Alternativës, Afrim Gashi...

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela dhe ai i Alternativës, Afrim Gashi, i janë përgjigjur zyrtarisht kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti lidhur me ftesën për një takim mes partive parlamentare shqiptare.

Sela dhe Gashi parimisht janë dakord për një takim të tillë por jo më 13 gusht kur ka propozuar Ahmeti, por kërkojnë që takimi të mbahet pas 17 gushtit, duke u precizur temat që do të diskutohen.

Në përgjigjen e Selës dhe Gashit drejtuar Ahmetit, thuhet: “I nderuari Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, pas ftesës së pranuar nga ju për një takim të tryezës së Partive Parlamentare Shqiptare, dëshirojmë t’ju përgjigjemi se koalicioni Aleanca për Shqiptarët & Alternativa parimisht është dakord për një takim të tillë.  Ne mendojmë se mekanizmi politik i tryezës është një instrument i rëndësishëm politik për koordinimin e qëndrimeve të partive parlamentare shqiptare dhe si i tillë, mendojmë se duhet të vazhdojë të kultivohet për artikulimin e interesave shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Në funksion të një takimi përmbajtësor dhe të frytshëm, do të ishte mirë që ftesa të ketë edhe një propozim për rend dite, në mënyrë që të kemi një ide më të qartë për arsyen e organizimit të takimit të tryezës së Partive Parlamentare Shqiptare. Në këtë drejtim konsiderojeni mundësinë e një date tjetër duke nisur nga e hëna 17.08.2020 e tutje, sigurisht duke na njoftuar disa ditë më herët me rendin e ditës së takimit.”, - thuhet në përgjigjen e krerëve të Aleancës për sShqiptarët dhe Alternativës, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi.

Në takim janë ftuar edhe krerët e Lëvizjes Besa dhe PDSH-së, Bilall Kasami dhe Menduh Thaçi, të cilët ende nuk janë prononcuar lidhur me ftesën e Ahmetit.