Ekonomi
“Të bësh biznes”, BB: Shqipëria në vendin e 68-të
29.10.2014 17:22
Raporti i Bankës Botërore “Doing biznes 2014” për të bërit biznes, e klasifikon Shqipërinë si njërën ndër 40 ekonomitë me përmirësimin më të madh në klimën e biznesit për këtë vit...
Raporti për lehtësitë e të bërit biznes ka ngjitur Shqipërinë nga klasifikimi i 108 në botë në vendin e 68, për sa i përket reformave për përmirësimin e klimës së biznesit.
Duke iu referuar rezultateve të raportit, ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, tha se modeli i ri ekonomik dhe reformat e qeverisë kanë dhënë efektet e saj.
Por, duket se nuk është i të njëjtit mendim deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku. Nëpërmjet një deklarate, Tabaku thotë se meritat për këto rezultate janë të qeverisjes së shkuar, pasi ndryshimet dhe lehtësirat në ligje i ka miratuar pikërisht ajo.
Në raport thuhet se Shqipëria i ka përmirësuar kushtet për hapjen e një biznesi të ri, si rezultat i uljes së tarifave të regjistrimit të sipërmarrjeve.
Gjithashtu, si element pozitiv përmendet përmirësimi në sektorin e ndërtimit, duke nënvizuar se dokumentet e nevojshme për lejet janë njehsuar në një të vetëm, teksa tashmë ka rifilluar nisja e dhënies së lejeve të ndërtimit.
LULJETA NDOKA