Botë

Pompeo: Kujdes nga kërcënimi rus dhe kinez

13.08.2020 14:06

Sekretari amerikan i Shtetit, Majk Pompeo u bëri thirrje demokracive të reja të Evropës Qendrore...

Sekretari amerikan i Shtetit, Majk Pompeo u bëri thirrje demokracive të reja të Evropës Qendrore e Lindore të mbrojnë liritë e fituara me mund, përballë kërcënimeve nga Rusia, Kina dhe vende të tjera.

Diplomati i lartë amerikan tha se rishfaqja e totalitarizmit nuk është një kërcënim abstrakt, që është i kufizuar vetëm në kryeqytete si Moska dhe Pekini, por është shfaqur edhe në Evropë dhe në territore fqinje me të, në një vend si Bjellorusia ku kanë shpërthyer trazirat pas zgjedhjeve të së dielës që opozita i quan të manipuluara. Këtë mesazh, shefi i diplomacisë amerikane e përsëriti pas takimit me Kryeministrin çek, Andrej Babis, në konferencën e përbashkët për shtyp.

Por Kina kritikoi kryediplomatin amerikan Mike Pompeo për përhapjen e "viruseve politike dhe dezinformimit".  Gjatë një konference shtypi në Pekin, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Zhao Lijian, tha se kritika e vazhdueshme e sekretarit të Shtetit ndaj Kinës dhe Partisë Komuniste në pushtet të Kinës buron nga "mentaliteti dhe egoizmi i Luftës së Ftohtë". "Kudo që shkon Pompeo, ai sjell viruse politike dhe dezinformim", ka thënë zëdhënësi i minsitrisë së jashtme kineze.