Maqedoni
Sulmohet qeveria me 2 predha, shpëton pa dëme
29.10.2014 17:25
Mbrëmë rreth orës 22:00, drejt ndërtesës së qeverisë janë gjuajtur dy predha, të cilat kanë dëmtuar fasadën në katin e dytë, por pa shkaktuar dëme më të mëdha...

Policia ka kryer menjëherë ekspertizën në vendngjarje. Dy predhat janë gjetur dhe po hetohen për të kuptuar llojin e armës prej të cilës janë lëshuar.
Ministria e Brendshme ende po heton motivet e sulmit, por ngjarja e mbrëmshme ka bërë që të shtohet siguria në të gjitha institucion e rëndësisë së veçantë.
“Mbrëmë rreth orës 22, personi që është përgjegjës për sigurinë e objektit të qeverisë njoftoi se janë dëgjuar dy shpërthime. Pas kontrollit të terenit, është konfirmuar se dy predha kanë përfunduar në fasadën e qeverisë. Predhat janë marrë dhe janë dorëzuar për ekspertizë, për të zbardhur më shumë të dhëna për llojin e armës, drejtimin prej nga ka ardhur, për autorët e sulmit, në rast se ka dhe motivin e këtij incidenti”- deklaroi ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska.
Por, Jankullovska nuk ka dashur të japë asnjë të dhënë shtesë për faktin nëse mbrëmë ministrat e qeverisë kanë qenë në mbledhje apo ndërtesa ka qenë e zbrazët. Tani për tani vetëm dihet se predhat e shtëna ndaj ndërtesës së qeverisë kanë qenë predha të kalibrit të lartë.
AFRIM TANALLARI
