Maqedoni

Shembet kodra, bllokohet malësia e Karadakut

29.10.2014 17:29

Mbrëmë rreth orës 22:30, në afërsi të digës së Gllazhnjës në Komunën e Likovës është shembur kodra, duke bllokuar rrugën që lidh Likovën me fshatrat e malësisë së Karadakut...

Si shkas për shembjen e kodrës supozohet të jenë shirat e shumta të këtij viti.  
 
Edhe përkundër faktit se rruga është bllokuar nga gurët e shembur, megjithatë banorët me shumë vështirësi arrijnë të lëvizin me automjetet e tyre, gjë që i regjistroi edhe syri i kamerës sonë. Por, megjithatë banorët e malësisë janë të revoltuar se nuk është ndërmarrë asgjë për pastrimin e rrugës, pasi që druajnë se mund të mbeten të bllokuar. 
 
Nga ana tjetër, kreu i Komunës, Sadulla Duraku, qetëson situatën, pasi që gjatë një bisede telefonike na njoftoi se më së voni gjatë ditës së nesërme rruga do të pastrohet dhe qarkullimi i njerëzve dhe automjeteve do të rrjedhë normalisht. 
 
NEXHAT AQIFI