Maqedoni
USHT shpërblen më të mirët
29.10.2014 17:32
53 studentë me notë mesatare mbi 9.5, kanë përfituar sot bursa për vitin akademik 2014-2015...

Studentëve me mesatare më të lartë se kjo, USHT iu mundëson të ndjekin falas studimet e ciklit të dytë, studentët absolutë përfitojnë bursa për studime jashtë Maqedonisë dhe një ofertë pune nga USHT.
“Studentëve që kanë kryer studimet me mesatare 9.8, universiteti ynë ju mundëson studime falas në ciklin e dytë dhe studentëve që kanë mbaruar me mesatare 10.00, u sigurojmë bursa për t’i vijuar studimet jashtë shtetit dhe ju mundësojmë të jenë pjesë e stafit akademik në universitetin tonë, gjithnjë duke e respektuar këtë kriter, prej fillimit të këtij viti akademik në procesin mësimor shkencor kemi punësuar mbi 30 asistentë, që vitin e kaluar i mbaruan studimet e tyre me notë mesatare 10–të”- deklaroi rektori i USHT-së, Vullnet Ameti.
Për vetë studentët e dalluar, kjo mirënjohje e shprehur përmes bursave është vlerësimi më i mirë që i bëhet mundit të tyre.
“Universiteti Shtetëror i Tetovës është një dritë jeshile për të gjithë studentët që studiojnë në këtë universitet, pasi ata e kanë përpara jetën e tyre, USHT-ja me këto bursa ka për qëllim që të na motivojë ne studentëve për të shkuar sa më para me mësimet tona”- tha studentja e Fakultetit Filozofik pranë USHT-së, Blerina Kamberi.
“Është një ndjenjë shumë e mirë të jesh një nga studentët e dalluar, kjo për ne është një përgjegjësi e madhe, pasi që duhet të mësojmë edhe më tutje dhe jo të stagnojmë. Shpresoj që edhe studentët e tjerë ta përjetojnë këtë ndjenjë”- u shpreh studentja e Fakulteti Filologjik në USHT, Linda Memeti.
“Padyshim, është një ndjenjë e veçantë, një privilegj i madh, falënderimi për këtë i takon rektoratit, rektorit dhe senatit që na e mundësuan të trajtohemi si studentë të privilegjuar, si studentë që jemi të përsosur në nivelet tona varësisht nga vlerësimet e profesorëve”- theksoi studenti i Fakultetit Juridik në USHT, Ariton Rama.
USHT-ja edhe në të ardhmen do t’i mbështesë këto kategori të studentëve, duke shqyrtuar edhe mundësi të tjera për ta zgjeruar ofertën në funksion të afirmimit të vlerave.
MIFTAR EMINI
