Kosovë

Kosovë, shteti në pikëpyetje, ende pa zgjidhje ngërçi politik

29.10.2014 17:35

Pavarësisht se Kosova ka hyrë në muajin e pestë të krizës politike dhe mungesa e institucioneve po shkakton dëme...

Pavarësisht se Kosova ka hyrë në muajin e pestë të krizës politike dhe mungesa e institucioneve po shkakton dëme, subjektet politike, të rreshtuara në dy taborë, nuk po t’ia lëshojnë rrugën njëra-tjetrës.
 
Liderët politik, sidomos ata nga koalicioni paszgjedhor, LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje nuk po shprehin interesim për nismat e presidentes, Atifete Jahjaga, që të ulë në një tavolinë liderët e të gjitha partive politike dhe të gjen zgjidhje për tejkalimin e krizës institucionale. 
 
Përderisa liderët vazhdojnë të hamenden, nga Zyra e Presidentes është "lëshuar" edhe një alarm se Kosova ka hyrë në një fazë kritike, ku qëndrueshmëria e shtetit po lëkundet.
 
Deputetja, Flora Brovina, thotë se nuk do të ketë vazhdim të seancës konstituive, në të cilën është e paraparë të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e parlamentit, pavarësisht kërkesës së bllokut.
 
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, të hënën, pas takimit të liderëve të bllokut ka thënë se do t’i drejtohen kryesueses së seancës, Flora Brovinas, për ta vazhduar seancën e ndërprerë muaj më parë, ndërsa ka pohuar se nuk shohin zgjidhje me takimin e përbashkët të kërkuar nga presidentja Jahjaga.
 
Por, Brovina ka deklaruar se partitë e koalicionit paszgjedhor e kanë përgjigjen nga ajo: pa një marrëveshje mes liderëve nuk do të ketë seancë tjetër!
 
“Patjetër që do ta thërrasim, por blloku e ka përgjigjen. Ata e kanë përgjigjen, duhet të ketë një marrëveshje, sepse nuk mund të thirret seanca pa u marrë vesh për çka do të mblidhemi, që më pas ta votojmë kryetarin dhe nënkryetarët”- ka thënë Brovina.
 
SANIJE KASAMI