SH.F. “Jashar Beu”, Maksuti: Jemi gati për mësim “online”apo “në distancë”

15.08.2020 15:33

Shkolla fillore “Jashar Bej Shkupi” është gati të fillojë mësimin....

Shkolla   fillore “Jashar Bej Shkupi” është gati të fillojë mësimin qoftë me prezencën fizike të nxënësve  apo edhe mësimit online. Drejtori i shkollës, Rahim Maksuti, për TVM2, përveç kësaj thotë se  kjo shkollë qysh nga fillimi i pandemisë është dezinfektuar disa herë dhe përsëri do të dezinfektohet para fillimi të shtatorit.

“Siç dihet shkolla jonë është një ndër shkollat më të vogla në Komunën e Çairit, që do të thotë kemi diku afër 460 nxënës, ne e kemi mundësinë  të mbajmë  edhe me dy ndërrime,  siç i kemi mbajtur gjithmonë,   shkaku se klasa më e madhe në shkollën tonë është me 22 nxënës, kemi mundësi edhe në distancë” – u shpreh Drejtori i SH.F “Jashar Beu”, Rahim Maksuti.

Maksuti më tej shton se  mbarëvajtja e mësimit  me praninë fizike të nxënësve në klasë, është varianti më adekuat dhe i njejti nuk ka zëvendësim me  metoda tjera, megjithatë rrethanat  janë të tilla për të cilat të gjitha faktorët relevant duhet të vendosin për variantin i cili do të jetë më i sigurtë në aspektin shëndetësor  për nxënësit dhe kuadrin mësimor.

“Po të jemi realist nuk mund të jetë e sukseshme sa është mësimi fizikisht me nxënësit, kështu që mësimi online në 3 mujorshin e fundit në gjysëmvjetorin e fundit të vitit të kaluar kemi mbaruar me sukses, si gjithmonë çdo punë e re ka vështirësitë e veta në fillim të javës. Në javën e parë patëm pak disa ngecje deri sa filluam, por përfundimsht ka kaluar shumë mirë” – deklaroi Maksuti.

Maksuti  thotë se, nëse mësimi do të mbahet në distancë, për dallim nga tre mujori i kaluar, kuadri mësimdhënës  kësaj rradhe do të jetë më i përgatitur. Madje ai paralajmëroi se në shkollën Jashar Beu, janë bërë investime të shumta brenda objektit, që është edhe një risi për nxënësit nëse mësimin do ta fillojnë me praninë fizike të tyre në ambientin e shkollës. (Semra Jakupi, TVM2)