Strugë, edicioni i 8 i festivalit “skena e muzikës serioze shqiptare me tre tenorët”

16.08.2020 14:10

Nën organizimin e shoqatës “Alegreto” dhe nën mbështetjen e Komunës së Strugë....

Nën organizimin e shoqatës “Alegreto” dhe nën mbështetjen e Komunës së Strugës, mbrëmë u mbajt edicioni i tetë i festivalit “Skena e Muzikës Serioze Shqiptare me tre Tenorët” e njohur të muzikës serioze, Kastriot Tusha, Josif Gjipali dhe Arif Vladi, të shoqëruar nga orkestra e Universitetit të Arteve, me dirigjient maestron Isak Shehu. Qëllimi i festivalit është promovimi i vlerave të muzikës shqiptare si dhe përjetimi i veprave perëndimore.

“Ka filluar në vitin 2012 në Tetovë ku ishte edhe edicioni i parë dhe nga viti në vit ne jemi munduar që ta rrisim nivelin por edhe sasinë e koncerteve brenda këtij festivali. Ne kemi dëshirë për ta vazhduar këtë festival por gjërat tjera nvaren edhe nga mbështetja.” – u shpreh Drejtori i Festivalit, Fatos Lumani.

Me këngë të bukura napolitane edhe me vepra të mrekullueshme shqiptare, festivali përçoi emocione të mëdha tek publiku strugan si dhe te performuesit. 

“Gjithmonë ndjehesh mirë përpara publikut strugan, sepse Struga e do kulturën, e njeh pak a shumë edhe muzikën serioze, kur bëhen aktivitete të tilla dhe me muzikë të këtij rangu, gjithmonë ndihemi mirë ne, ndihet mirë Struga dhe ndihet mirë kultura shqiptare.” – theksoi tenori, Arif Vladi.

“Unë kam bërë edhe dy tre koncerte të tjera në Strugë dhe kam respekt të veçantë për publikun e Strugës. Sonte ishte një natë ndër më të mirat të mia ndoshta edhe pse jemi të etun nga pandemia, por sonte e kemi ndjerë veten tamam në shtëpinë tonë” – deklaroi Dirigjenti i orkestrës, Isak Shehu.

“Për mua ishte hera e parë, i mbështetur tek miku im Kastrioti që e njeh mirë Strugën, u ndjem shumë mirë, për mua ishte surprizë e madhe. Është një natë me të vërtet e vlefshme pasi shpalos vlerat e artit lirik shqiptar.” – tha tenori, Josif Gjipali.

“Një privilegj i madh për publikun e Strugës, që vërtet është i mrekullushëm dhe shumë mikpritës, dijnë ta shijojnë muzikën, në zhanre të ndryshme nga ajo klasikja deri tek popullorja.” – nënvizoi tenori Kastriot Tusha.

Festivalin e shpalli të hapur kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, i cili faleminderoi organizatorët dhe performuesit. Ai për kamerën tonë tha se evenimente të tilla janë të mirëseardhura në Strugë.

“Është i mirëseardhur për qytetin e Strugës, sidomos në këtë kohë të turizmit kur kemi edhe mjaft turistë, gurbetçar, jemi edhe ne në një farë mënyre më të lirë për të shijuar pikërisht një koncert siç ishte ky i sotëm.” – deklaroi Kryetari i Strugës, Ramiz Merko. (Ilmije Zhaku, TVM2)