Kulturë

Strugë, “Këngë Jeho” mbahet me protokolle të caktuara

17.08.2020 10:09

Për të 29-tën herë, në Strugë më 23 gusht do të mbahet festivali tradicional “Këngë Jeho”...

Për të 29-tën herë, në Strugë më 23 gusht do të mbahet festivali tradicional “Këngë Jeho”, i cili është njëri nga evenimentet më të rëndësishme të kulturës shqiptare. Ndryshe nga vitet tjera, ku si traditë festivali realizohet për tre netë rradhazi, këtë vit për herë të parë, për shkak të pandemisë së virusit, festivali do të jetë një ditor dhe me protokoll të rreptë për mbrojtje nga pandemia.  
 
“Ne vendosëm që festivalin ta mbajm më datë 23 gusht, një ditëshe, arsyeja është vetëm e vetëm që numri rendor të mos ndërprehet i festivalit pra të vazhdon dhe për një ditë mendojm ta realizojm me sukses, duke bisedu me instancat më të larta të qeverisë, siç e kemi Ministrinë e Kulturës dhe Institutin e shëndetit publik, na është dhënë dritë jeshile për ta mbajtur një ditëshe por me protokoll të rreptë dhe mendojmë ta realizojmë me sukses.”, tha Zini Jusufi, drejtor i festivalit.
 
Mjetet financiare për festivalin këtë vit janë të reduktuara dhe nuk janë të mjaftueshme, megjithatë organizatorët thonë se janë të kënaqur që festivali do të mbahet qoftë edhe vetëm një ditë. 
 
 “Mjetet në festival çdoherë mungojnë. Arsyeja është se qeveria dy vitet e kaluara ka dhënë do mjete që janë mbuluar të gjitha arxhimet e festivalit por sivjet është reduktu në 50%, ndoshta arsyeja është për shkak të pandemisë, mjetet janë reduktu ndoshta për të gjithë shoqëritë kulturore artistike, por ne përsëri edhe me atë jemi të kënaqur.”, tha Jusufi.
 
Festivali “Këngë Jeho” ka filluar që nga viti 1991, ku ka pasur pjesmarrje të vazhdueshme të shumë shoqërive kulturore artistike nga tw gjitha trojet shqiptare.  Këtë vit pjesmarrja do të jetë më e vogël për shkak të pandemisë. Në fillimet e para, festivali është mbajtur në stadiumin e Karaormanit, ku janë kërkuar bileta hyrëse, ndërsa viteve të fundit festivali mbahet në ambient të hapur, në qendër të qytetit, buzë Drinit të Zi. 
 
ILMIE ZHAKU