Botë

Somali, Al-Shabaab sulmon hotelin, 16 të vdekur

17.08.2020 10:37

Të paktën 10 civilë dhe një polic humbën jetën dhe 28 civilë të tjerë u lënduan...

Të paktën 10 civilë dhe një polic humbën jetën dhe 28 civilë të tjerë u lënduan në një sulm me bombë të kryer nga luftëtarët e Al-Shabaab në një hotel në Mogadishu, kryeqytetin e Somalisë. Edhe 5 nga suluesit gjithashtu u vranë, një prej tyre nga shpërthimi i një makine bombë, të tjerët gjatë këtij shkëmbim zjarri.  Dëshmitarët flasin për një shpërthim të fuqishëm e më pas edhe të shtëna me armë zjarri që vinin nga hoteli që frekuentohej nga zyrtarë të qeverisë.
 
"Shpërthimi ishte shumë i fortë dhe mund të shihej tymi. U krijua një kaos i madh. Njerëzit vraponin të dilnin nga hoteli e ndërtesat përreth.", tha Ali Sayid Adan, dëshmitar okular.
 
Forcat e sigurisë sulmuan agresorët në përpjekje për të marë nën kontroll hotelin Elite dhe për të liruar pengjet. 
 
"10 persona vdiqën. U vranë edhe 5 militantë gjithashtu edhe një oficer i Forcave të Sigurisë.", tha Ahmed Omar, zyrtar i sigurisë.
 
Somalia është përfshirë nga kaosi që pas rrëzimit të regjimit ushtarak të vendosur nga ish presidenti Siad Barre në 1991. Kaosi shkaktoi vite të tëra rrënimi ekonomik dhe grupi Al-Shabaab mori nën kontroll shumë rajone të vendit, përfshirë edhe kryeqytetin Mogadishu të cilin e drejton që nga viti 2011. Që atëherë, nuk ndalen luftimet mes tyre dhe qeverisë që kërkon të rikthejë kontrollin mbi kryeqytetin. Javën e kaluar, militantët e Al Shabaab, morën kontrollin e burgut qëndor bashkë me armatimin që ndodhej brenda tij. Grupi targeton vazhdimisht hotele dhe ishte përgjegjës edhe për sulmin e vitit 2019 me një makinë bombë që la 20 viktima. Një muaj  para kësaj, Al Shabaab vrau 21 civilë gjatë një sulmi në një hotel në Nairobi të Kenias, në përpjekje për të shtrirë kontrollin edhe jashtë kufijve të Somalisë. Sulmi më i fuqishëm në Mogadishu, ishte ai i dhjetorit të 2019, kur një makinë e mbushur me eksplozivë u mori jetën 81 personave. 
 
MIGENA GORENCA